Lavdia e luftës së UÇK vetëm rritet

Lavdia e luftës së UÇK vetëm rritet

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kalon në asnjë sprovë, sado që Prokuroria Speciale, apo më tej Gjykata të ngrenë akuza për udhëheqësit e saj.

Ajo ishte lufta e një populli të varfër, i lënë i fundit nën zgjedhën e një regjimi kriminal si ai i Millosheviçit.

UÇK ishte një zgjim i kombit dhe sakrifica e mijëra djemve që u ngritën për vendin e trojet e tyre, dhe ku një pjesë e mirë, lanë edhe jetën.

Jo pak, braktisën punët, projektet dhe rehatinë që kishin ndërtuar në perëndim, dhe u futën nën armë, për çlirimin e Kosovës.

Një ëndërr historike, shekullore, së cilës i ishin kushtuar këngë, ninulla, vaje, poezi, libra.

Gjysma e truallit të një kombi i trajtuar gjithnjë padrejtësisht nga të mëdhenjtë, mbahej ende nën çizmen gjakatare serbe deri në vitin 1999.

Teksa për mijëra kosovarë të pafajshëm, të vrarë, pushkatuar, linçuar, dhunuar e varrosur masivisht, ende nuk ka një drejtësi si duhet, apo një mea-culpa nga Beogradi, për luftëtarët, për çlirimtarët, në mënyrë sezonale ka akuza e procese.

Për shumë prej udhëheqësve të Kosovës, lufta është pjesa më e lavdishme, ndoshta pjesa më e mirë e tyre.

Tjetër gjë, është më tej, mënyra se si qeverisën ata vendin e tyre. Me korrupsion e me nepotizëm.

E vetmja damkë që i vunë ata sakrificës, qe vetëm qeverisja e keqe, që ata vetë bënë.

Asgjë tjetër nuk e bën dot pis luftën çlirimtare të një kombi.

Secili komb është në të drejtën e tij, dhe sa më e vonuar të jetë liria, aq më legjitime është beteja e bërë për të.

Kur sheh sot se ka ende makinacione politike, në qarqe të caktuara që prodhojnë mjegull dhe duan të hedhin hije mbi sagën heroike të UÇK, çdokush e kupton se kjo vetëm e rrit bindjen, se sa e drejtë paskësh qenë ajo luftë.

Secili do të duhet të mbajë përgjegjësitë e tij në fund të fundit. Siç ndodhi me zotin Haradinaj, mendja ta do se njësoj do të dalin të pafajshëm edhe liderët e tjerë të UÇK.

Por një gjë është e sigurt. Sa më shumë kohë kalon, lufta në vetvete që u bë për çlirimin e Kosovës, vetëm sa fiton më shumë lavdi, përpara çdo kthese apo sprove./Burimi: Gazetamapo.al/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit