“Le t’i flakim debatet presidenciale”

“Le t’i flakim debatet presidenciale”

Nga Kastriot Çipi

Gazeta neoliberale New York Times, ndër ato media të rrymës kryesore (mainstream) që Trump i quan media të lajmeve të rreme (fake news media), ka botuar një opinion me titull “Le t’i flakim debatet presidenciale” (Let’s Scrap the Presidential Debates).

Ky shkrim vjen 56 ditë para debatit të parë, të planifikuar për në 29 shtator, ndërkohë që po shtohen zërat për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të papërshtatshme të kandidatit Biden dhe spekulimet se, nëse zhvillohen debatet Trump “do ta hante për mëngjes” kundërshtarin.

Debati i parë presidencial u zhvillua më 26 shtator 1960, mes senatorit demokrat John F. Kennedy dhe zv.presidentit republikan Richard Nixon. Sipas analistëve, ishin pikërisht debatet që i dhanë fitoren kandidatit Kennedy, i cili renditej pas kundërshtarit të tij në sondazhe.

Qysh atëherë, debatet janë një element thelbësor i pazëvendësueshëm i fushatave. Për 80 vjet me radhë, gjatë çdo fushate presidenciale janë zhvilluar nga tre debate televizive. Ndonëse debatet nuk janë detyrim kushtetues, asnjë kandidat nuk u është shmangur atyre deri më sot dhe shpesh ato kanë rezultuar pikë kthese në fushata.

Pak ditë më parë, Sky News Australia konstatoi se, gjatë tre muajve të fundit, kur Biden nuk ka bërë asnjë takim publik, fjalimet e tij përmes Internetit zgjasin mesatarisht 7 minuta e megjithatë, ai ka nevojë t’i lexojë ato që thotë, ndërkohë që Trump është i aftë të flasë deri në 90 minuta pa letër.

Fjalimi më i gjatë i Biden kësaj periudhe është 21 minuta dhe Sky News Australia zbuloi se ai fjalim jo vetëm nuk ishte i drejtpërdrejtë (live), por ishte regjistruar gjatë gjashtë ditëve, duke qenë se të dhënat mbi virusin korona ishin të gjashtë ditëve më parë.

Në rrjet qarkullojnë disa përmbledhje klipesh të fjalimeve të Biden, ku ai ka vështirësi të dukshme artikulimi, që kanë ngritur dyshimin se ai vuan nga demencia. Shqetësimet për shëndetin e Biden, që në 20 nëntor të këtij viti do të mbushë 78 vjet, kanë nisur qysh me fillimin e garës së kandidatëve brenda partisë demokrate, vitin e kaluar.

Dihej se Biden kishte kaluar dy operacione për aneurizma të trurit (që shkaktojnë hemorragji cerebrale) në vitet ’80. Në nëntor 2019, mjeku personal i Biden, Dr. Kevin O’Connor, lëshoi një raport, me kërkesë të pacientit të tij, ku thuhej se Biden ishte “i shëndetshëm dhe i fuqishëm”. Sipas Dr. O’Connor, Biden është “në gjendje të përmbushë me sukses detyrat e presidentit, duke përfshirë shefin e ekzekutivit, kryetarin e shtetit dhe kryekomandantit”.

Dr. O’Connor sqaroi gjithashtu se Biden trajtohet për fibrilacion atrial jovalvular (çrregullime të ritmit të zemrës), hiperlipidemi (nivel i lartë abnormal i përqëndrimit të yndyrnave dhe kristaleve në gjak), refluks gastroezofagial (çrregullim i aparatit tretës) dhe disa alergji stinore.

Por mjeku presidencial i Obama, Dr. David Scheiner, pasi lexoi historinë mjekësore të Biden, tha se ai ka “shumë probleme”. Ai pohoi se Biden i ishte dukur “i brishtë” në debatin e parë mes kandidatëve demokratë.

Në këtë klimë, po shtohen dyshimet (dhe spekullimet), se Biden i trembet debatit me Trump. Fushata e këtij të fundit, në 18 qershorin e kaluar, propozoi një debat të katërt presidencial, por fushata e Biden u përgjigj se do të pranonte vetëm tre debate dhe se debati i katërt do të ishte shpërqëndrues.

Sondazhet e mediave të rrymës kryesore vazhdojnë ta paraqesin Biden fitues në të gjitha temat kryesore, por Trump kundërpërgjigjet në stilin e tij se ato janë “fake news” dhe se të njëjtat media raportonin sondazhe me rezultate të ngjashme katër vjet më parë, kur ai fitoi kundër Hillary Clinton.

Është rasti të kujtojmë se edhe 4 vjet më parë, Trump e përmbysi avantazhin e Clinton, që ashtu si Biden sot mbështetet fuqimisht nga shumica e mediave, pikërisht përmes përballjes direkte në debate.

Gazetarja Elizabeth Drew, thotë në shkrimin e saj në New York Times, se “meqë ra fjala, këtë nuk po e shkruaj nga shqetësimi se Donald Trump do të triumfojë ndaj Joe Biden në debate”. Por më poshtë ajo bën një lapsus, duke treguar frikën e saj reale (dhe të demokratëve).

Duke u përpjekur t’i zhvlerësojë debatet presidenciale si një praktikë që ofron spektakël, por jo përmbajtje, ajo i referohet debateve Trump-Clinton të zgjedhjeve të vitit 2016. “Debatet nuk na afruan aspak me realitetet e atij, që mund të quhet presidenti më katastrofik në historinë tonë. Ata thjesht u bënë një armë më shumë në arsenalin e tij”.

Por është tepër vonë për anulimin e debateve, aq më tepër që demokratët ngulin këmbë tek ndalimi i mitingjeve publike dhe votimi me postë, me pretekstin e rrezikut të përhapjes së virusit korona. Debatet do të bëhen dhe ajo që mbetet për t’u parë është nëse Trump “do ta hajë kundërshtarin për mëngjes” apo “do ta godasë si top bejsbolli.

/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit