Lejeqëndrimi në Itali/ Hapen aplikimet, kushte lehtësuese për emigrantët shqiptarë

Lejeqëndrimi në Itali/ Hapen aplikimet, kushte lehtësuese…

Për mijëra të huaj me qëndrim të parregullt në Itali por që kanë një vend pune është hapur një dritare për t’u pajisur me lejeqëndrim, që nga data 1 qershor deri në 15 korrik.

Ata mund të nisin kërkesat e legalizimit të marrëdhënieve të punës dhe të qëndrimit në Itali që është i parashikuar dhe i njohur ndryshe si dekreti Rinisja.

Dekreti parashikon dy kanale

  • I pari për punëdhënësin italian apo të huaj (por vetëm nëse ka lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, i njohur si kartë qëndrimi) që mund të lidhë një kontratë pune të varur apo të legalizojë një marrëdhënie pune në të zezë me shtetas italianë apo të huaj të pranishëm në territorin italian nga 8 marsi 2020;
  • I dyti për qytetarët e huaj me leje qëndrimi të skaduar nga 31 tetori 2019, të pranishëm në Itali nga 8 marsi 2020, që mund të kërkojnë një lejeqëndrim për 6 muaj.

Punonjësit e këtyre sektorëve do të mund të përfitojnë

  • bujqësia, mbarështrimi, blegtoria, peshkimi e akuakultura dhe veprimtaritë e lidhura me to
  • asistencë për persona me sëmundje ose aftësi të kufizuara
  • puna shtëpiake

Procedurat e paraqitjes së kërkesës

Këto kërkesat për të përfituar lejeqëndrim u është caktuar paraqitja nga data 1 qershor deri më 15 korrik 2020, me dy procedura të ndryshme sipas kanalit të përdorur apo subjektit që paraqet kërkesën.

Të huajt e parregullt me lejeqëndrim të skaduar nga 31 tetori 2019, mund t’u drejtohen kuesturave për të kërkuar lëshimin e një lejeqëndrimi të përkohshëm, të vlefshëm vetëm në Itali, me kohëzgjatje 6-mujore nga çasti i paraqitjes së kërkesës.

Vendi ku do të paraqitet kërkesa

Kjo kërkesë nga të huajtë do të duhet të paraqitet pranë sporteleve “Amico” të 5.700 zyrave postare në Itali dhe ky shërbim postar i nisjes së praktikës kushton 30€.

I huaji duhet të plotësojë këto kushte:

  • Të ketë një pasaportë apo dokument tjetër të barasvlefshëm apo një certifikatë identiteti të lëshuar nga Përfaqësia diplomatike e vendlindjes;
  • Të jetë i pranishëm në territorin italian prej 8 marsit 2020. Mund ta dëshmojë siç është shkruar edhe më lart: me shenjat e gishtërinjve, me vulën e hyrjes në territorin italian në pasaportë apo përmes “deklaratës së pranisë”, ose me çfarëdo dokumenti me datë të lëshuar nga zyra shtetërore apo private që kryejnë shërbim publik;
  • Të dëshmojë (përmes dokumentacionit të përshtatshëm që duhet të dorëzojë kur paraqet kërkesën) se ka punuar më parë në sektorët e bujqësisë dhe punës shtëpiake (këtu kodet e të gjitha aktiviteteve që përfshihen në këta sektorë) të përfshirë në masën e legalizimit.

Si dëshmi mund të vlejnë:

  • kontratë pune, estrakt i llogarisë së sigurimeve shoqërore, fletë-pagesë, formulari Unilav i punësimit/transformimit dhe/ose e përfundimit të marrëdhënies së punës, CUD, estrakt i llogarisë bankare nga ku duket derdhja e rrogës
  • certifikatë e Qendrës së Punësimit që tregon kryerjen e punës në sektorët e sipërpërmendur;
  • fotokopje çeku bankar me të cilin është paguar rroga;
  • buletinët e pagesës së kontributeve INPS për punën shtëpiake ose estrakt nga portali i INPS-it i llogarisë së kontributeve të punonjësit dhe/ose punëdhënësit;
  • dëshmi e pagesës së kontributeve për punën shtëpiake përmes sistemit PagoPA të shtypur nga portali INPS;
  • komunikim me postë elektronike dhe/ose me SMS e MyInps, lidhur me kryerjen e bashkëpunimit të rastësishëm në kuadrin e punës shtëpiake;
  • tabela pagesash mujore ose dëshmi për punë të rastësishme në sektorin bujqësor;
  • dokument i regjistrimit të detarëve;
  • konventë rekrutimi;
  • komunikim Unimare;
  • regjistrim si ekuipazh i anijes;
  • dokument imbarkimi e zbarkimi;
  • fletë-rroga
  • çdo letërkëmbim midis palëve gjatë marrëdhënies së punës, shkruar si nga punëdhënësi si nga punëtori, nga i cili mund të përftohen elementë identifikues të palëve të nevojshme për kontrollimin e veprimtarisë së punës (p.sh. njoftimet për ndryshime në orarin e punës, kërkesa për pushime ose leje ose mungesa për ndonjë arsye, mosmarrëveshje disiplinore etj).

Në postë duhet dorëzuar:

  • Fotokopje të pasaportës apo një dokumenti tjetër të barasvlefshëm apo një certifikate identiteti të lëshuar nga Përfaqësia diplomatike e vendlindjes;
  • Fotokopje të lejeqëndrimit të skaduar;
  • Kodin fiskal;
  • Dokumentacion që dëshmon vendbanimin;
  • Dokumentacion që dëshmon se para 31 tetorit 2019 ka punuar në sektorët e bujqësisë dhe punës shtëpiake, të përfshirë në masën e legalizimit;
  • Dokumentin e pagesës së 130,00€;
  • Pullë-taksë 16,00€

/Shekulli

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit