Një prind nga Konispoli i është drejtuar JOQ Albania për të kërkuar verifikimin e mënyrës së shpërndarjes dhe pagesës së librave shkollorë në shkollën “Bido Sejko”.
Ai thotë se për librat e fëmijës së tij, aktualisht në klasën e pestë i është kërkuar të paguajë rreth 14 mijë lekë. Prindi pretendon se pagesa është kërkuar nga një person i lidhur me drejtimin e shkollës, konkretisht bashkëshorti i drejtoreshës.
“Për librat e shkollës na është kërkuar dhe kemi paguar rreth 14,000 lekë. Për shumën e paguar nuk na është dhënë kupon, faturë apo dokument tjetër pagesë”, shprehet prindi.
Sipas tij, kjo situatë nuk është e re, pasi pretendon se pagesa për një pjesë të librave është bërë çdo vit, që nga klasa e parë deri në klasën e pestë.
“Çdo vit, që nga klasa e parë e deri tani në klasën e pestë, gjysmën e librave i marrim me lekë dhe gjysmën pa lekë, nga i njëjti person”, thotë denoncuesi.
Prindi kërkon që institucionet përgjegjëse të arsimit të verifikojnë nëse librat në fjalë duhet të blihen nga prindërit, mbi çfarë baze është kërkuar shuma prej rreth 14 mijë lekësh dhe nëse për pagesat e kryera duhet të lëshohet dokument tatimor apo mandat pagese.
“Qëllimi im nuk është të akuzoj askënd pa u kryer verifikimi. Kërkoj vetëm një kontroll zyrtar dhe një përgjigje të qartë për këtë situatë”, shprehet ai.
Ai i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve përkatëse që të sqarojnë nëse praktika e denoncuar është në përputhje me rregullat për tekstet shkollore dhe ku duhet të drejtohen prindërit për një ankesë apo verifikim zyrtar.