Emërimi i mundshëm i Andrea Pirlos në krye të kombëtares italiane ka hapur një debat të fortë në Itali, jo për aftësitë e tij si trajner, por për bashkëpunimin që ai ka pasur me një kompani ruse bastesh gjatë viteve të fundit.
Shumë kritikë shtrojnë pyetjen nëse një figurë që përfaqëson një komb në arenën ndërkombëtare mund të ketë qenë ambasador i një kompanie që, sipas tyre, është përdorur edhe si instrument propagandistik në favor të Rusisë. Ndryshe nga një trajner klubi, drejtuesi i kombëtares konsiderohet një figurë institucionale dhe simbol i vendit që përfaqëson.
Megjithatë, polemika pritet të marrë fund nëse Pirlo zyrtarizohet në stolin e “Axurrëve”. Rregulloret nuk lejojnë që trajneri i kombëtares të ketë kontrata aktive me kompani bastesh, çka nënkupton se bashkëpunimi i tij me Fonbet do të ndërpritet automatikisht.
Pirlo u bë ambasador global i kompanisë ruse të basteve, e cila e paraqiti marrëveshjen me legjendën italiane si një dëshmi se, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit ndërkombëtar ndaj Moskës, Rusia vazhdonte të tërhiqte emra të mëdhenj të sportit botëror.
Debati u intensifikua edhe më shumë kur ish-mesfushori italian mori pjesë në aktivitetin “Football Day” në Moskë, të organizuar nga e njëjta kompani. Prania e tij, në një periudhë kur lufta në Ukrainë ishte në një fazë shumë të tensionuar, u kritikua nga shumë sportistë dhe analistë ndërkombëtarë. Mes zërave më të fortë ishte edhe sportisti ukrainas i skeletonit, Vladyslav Heraskevych, i cili e dënoi publikisht vendimin e Pirlos.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se Pirlo nuk ka shkelur asnjë ligj. Si profesionist, ai kishte të drejtën të lidhte marrëveshje sponsorizimi dhe të menaxhonte imazhin e tij sipas interesave personale. Megjithatë, kritikët argumentojnë se drejtimi i kombëtares italiane kërkon jo vetëm aftësi sportive, por edhe një profil publik të pakontestueshëm, sidomos në një kohë kur sporti dhe politika janë më të ndërthurura se kurrë.
Pavarësisht debatit, gjithçka lë të kuptohet se çështja do të mbyllet sapo Pirlo të marrë zyrtarisht drejtimin e Italisë, pasi çdo lidhje e tij me kompaninë ruse të basteve do të përfundojë në përputhje me rregullat që vlejnë për trajnerin e kombëtares.