Ligji që i jep të drejtë Policisë të përgjojë qytetarët, Gjykata Kushtetuese shfuqizon disa nene

Ligji që i jep të drejtë Policisë…

Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim pasi mori në shqyrtim kërkesën e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për anulimin e nenit 131 në lidhje me ligjin për Policinë e Shtetit.

Në vendimin e publikuar ditën e sotme, GJK thotë se ka pranuar kërkesat e bëra dhe ka shfuqizuar nenin 6 të ligjit për Policinë e Shtetit, si edhe ka pezulluar zbatimin e nenit 131 të ligjit për Policinë e Shtetit deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Këshilli i Ministrave ka propozuar ndryshime të ligjit “Për policinë e shtetit”, ku lejon përgjimin dhe gjurmimin e qytetarëve për 3 muaj, pa vendimin e prokurorisë.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:

– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues  “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.

Gjykata Kushtetuese vendosi:

1.Pranimin e kërkesave.
2.Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.
3.Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit