Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Zyber Zagradi dhe Mario Pali, të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e dyfishtë në Velipojë. Zyber Zagradi, i cili u plagos gjatë ngjarjes, dhe Mario Pali kanë deklaruar në gjykatë se ata mbërritën në vendin e ngjarjes pasi konflikti mes vëllezërve Frroku dhe viktimave Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha kishte filluar.
Zagradi ka thënë se ka parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar, por nuk e ka ditur se si ka nisur konflikti. Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk e di si është plagosur, duke u shprehur se vetëm e pa veten të gjakosur në këmbë nga një plumb.
”“Nuk e di si u plagosa, vetëm kur pashë këmbën me gjak dhe plagën e shkaktuar nga plumbi që kisha marrë”.
Në polici, Zagradi kishte deklaruar se pas ngjarjes ishte dërguar nga Mario Pali te motra e vëllezërve Frroku në Lezhë, e cila më pas e ka dërguar në spitalin e Lezhës. Megjithatë, Pali e ka mohuar këtë version, duke thënë se ai është larguar drejt Shkodrës menjëherë pas ngjarjes.
Avokati mbrojtës Simon Pashku ka kërkuar që klientët e tij të vendosen në “arrest shtëpie” dhe ka kundërshtuar ndalimin e tyre si të paligjshëm. Megjithatë, gjyqtarja Arta Llazari ka pranuar kërkesën e prokurorit Albert Murçaj për masën e sigurisë “arrest me burg”.