Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për 42-vjeçaren Silvana Osmani dhe 39-vjeçaren Luljeta Doda, banuese në Sarandë, të cilat akuzohen se për një periudhë tre-mujore kishin marrë me qira dy lokale të cilat i kishin përshtatur për ushtrim prostitucioni.
Dy gratë u ndaluan më 24 shkurt 2025, pas një hetimi dy-mujor mbi shfrytëzimin e një të miture 16-vjeçare për veprimtarinë e jashtëligjshme. Në seancën e sotme, gjyqtarja e Apelit, Luftfije Celami, vlerësoi të drejtë vendimin e mëparshëm të dhënë nga gjyqtari Fatmir Ndreu në Gjykatën e Sarandës më 26 shkurt 2025.
Sipas raportimeve të mëparshme, dy gratë ishin të njohura në Sarandë për veprimtarinë që ushtronin. Në momentin e arrestimit policia i sekuestroi grave dhe një shumë parash, që dyshohet se e kishin përfituar nga shfrytëzimi i vajzave të mitura.