Likja i Pogradecit i jep tender pa garë ish-drejtorit të arrestuar të Postës në Korçë

Likja i Pogradecit i jep tender pa…

Bashkia e Pogradecit është një nga 8 bashkitë me probleme të theksuara, por kjo nuk e ndalon Ilir Xhakollin e PS të vazhdojë avazin e vjetër, të japë tendera të dyshimtë.

Pak ditë më parë, redaksia jonë publikoi një tender të dhënë nga Xhakolli dhe bëhej fjalë për sistemimin e lumit Buçimas dhe rehabilitimin e infrastrukturës rrugore. Për këto punime fondi limit i ofruar ishte 79 milionë e 282 mijë lekë të reja pa TVSH.

Në këtë tender morën pjesë 9 kompani, 8 prej të cilave janë skualifikuar për mosplotësim dokumentesh ose kriteresh dhe fituese u shpall firma “REJ” shpk, me administrator Luan Kapri dhe Vilma Tërpollari. Kjo kompani ka ofruar 70 milionë e 743 mijë lekë të reja pa TVSH.

Ndërkohë që këtë herë po publikojmë për një tender tjetër të dyshimtë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-88021-11-16-2023 dhe bëhet fjalë për blerje karburanti. Për këtë blerje është ofruar fondi limit 20 milionë e 459 mijë lekë të vjetra pa tvsh.

Tenderi është dhënë pa garë dhe nga Open Data është ngritur flamuri i kuq për mungesën e konkurrencës. “Gora 2004” shpk, kompania e vetme që mori pjesë në garë u shpall fituese. Një fakt tjetër është se kompania fituese ka ofruara maksimumin e fondit limit që është ofruar nga bashkia.

Kompania fituese është në pronësi të Valter Gorës, ish drejtori i filialit të postës në Korçë, pasi akuzohej për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.

Gora akuzohej se së bashku me disa punonjës të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori, ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte.


Ndonëse i arrestuar më parë, kjo nuk e ka ndaluar Liken e Pogradecit që të hapë thesin dhe të vazhdojë avazin me favorizime përmes tenderave të dyshimtë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit