Lili i Lushnjes porositi vrasjen, si u ekzekutua Albi Bashaliu?

Lili i Lushnjes porositi vrasjen, si u…

Lorenc Lala, i njohur si “Lili” në Lushnjë, financoi vrasjen e Albi Bashaliut në Peqin në emër të hakmarrjes familjare

Ky është Lorenc Lala, që në qytetin e Lushnjës njihet ndryshe me pseudonimin “Lili”. Ai është arrestuar së fundmi në Britaninë e Madhe, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lëshoi urdhër arresti ndaj tij si pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Laert Haxhiu.

Sipas deklaratave të Artan Tafanit, bashkëpunëtor i drejtësisë dhe dëshmitar kyç në dosje, Lala ka qenë financuesi kryesor dhe porositësi i vrasjes së Albi Bashaliut në Peqin, një akt gjakmarrjeje që buronte nga një vrasje e mëparshme.

Tafani ka sqaruar se urdhri për vrasjen e Bashaliut erdhi pas refuzimit të tij për të ekzekutuar Rexhep Ginën, një tjetër anëtar i bandës së Lushnjës, në qershor 2021. Gjashtë muaj më pas, në dhjetor të po atij viti, ai mori një tjetër porosi për të vrarë Albin në Peqin.

Albi Bashaliu ishte vëllai i Leonard Bashaliut, i dënuar me 18 vite burg për vrasjen e Albert Xhahysës në vitin 2021, pronar i një studioje televizive në Pajovë. Hakmarrja për këtë ngjarje çoi në eliminimin e Albit.

Sipas dëshmisë së Tafanit, për këtë vrasje ishin paguar 50 mijë euro: “…unë kam marrë 20.000 euro, ‘Luli’ ka marrë po aq dhe Laerti mori 10.000 euro. Pagesa është bërë me këste. 10.000 euro na i dha babai i Laertit, që tha se ia kishte dhënë ‘Lili’. Pjesa tjetër është marrë në një lavazh te ‘Delijorgji’, ku zakonisht liheshin paratë”.

Tafani ka rrëfyer se “Lili” kishte marrë përsipër të mbulonte shpenzimet pasi djemtë e viktimës Xhahysa nuk kishin mundësi ekonomike, ndonëse kishin një hasmëri të vjetër me familjen Bashaliu.

Për ekzekutimin e vrasjes u përfshi dhe Lulzim Arapi, i cili bleu armën tip “TT” nga Bledar Berberi në Pogradec. Ata përdorën një “Audi” dhe një “Benz” me targa greke, që sipas dëshmisë së Tafanit, i përkisnin Ligor Romançkës dhe Mario Diamantit.

Diamanti, kushëri i Juxhin “Xhino” Bajramit, ishte qëlluar për vdekje në Greqi pak javë para se të ndodhte ngjarja në Peqin. “Laerti më tha se Lili kishte porositur vrasjen për hakmarrje, pasi djemtë e familjes Xhahysa i kishin vrarë babain”, ka rrëfyer Tafani.

Përgatitjet për krimin nisën 10 ditë më herët, kur Tafani takoi Enriko Xhahysën në Peqin. Enriko dha të dhëna për lëvizjet e viktimës dhe vendet që frekuentonte.

“Personin që do vrisja ma tregoi Laerti në një video që ia kishte dërguar Lili”, rrëfeu Tafani, duke sqaruar se kishte parë pamjet e Albi Bashaliut dhe automjetin që ai përdorte.

Në mbrëmjen e 26 dhjetorit 2021, Tafani udhëtoi drejt Peqinit, por nuk mundi ta kryente vrasjen atë natë. U kthye në Tiranë dhe debatoi me Laertin. Ata vendosën që atentati të kryhej mëngjesin e 27 dhjetorit.

Së bashku me Lulin, Tafani përdori një “Audi” të sjellë nga Romaçka. Makina nuk po ndizte dhe vonesa zgjati deri në orën 1 pas mesnate, derisa mjeti u rregullua.

Në orën 4 të mëngjesit të 27 dhjetorit, Tafani dhe Arapi arritën në Peqin. Ata u pozicionuan pranë lokalit që frekuentonte viktima. Tafani kishte veshur rroba sportive, maskë dhe një jelek të zi pa mëngë, të përdorur edhe në një vrasje të mëparshme në Lushnjë.

Kur Albi Bashaliu mbërriti në lokal me “Volkswagen Caddy”-n e bardhë, Tafani i doli përpara dhe e qëlloi gjashtë herë me armën “TT”.

Pasi viktima ra në tokë, Arapi tentoi të ndizte “Audin”, por pa sukses. “…Luli më tha që nuk ndizet dhe unë i thashë ta digjte aty”, ka rrëfyer Tafani.

Ata përdorën benzinë për të djegur automjetin. Arapi pësoi djegie në xhup, ndërsa Tafani shkoi te trupi i pajetë i Bashaliut dhe i mori çelësat e makinës.

“…i kontrollova rrobat, por nuk i gjeta. Pastaj pashë që i mbante në dorë. Një burrë doli nga lokali, i bërtita: ‘Hyr brenda se të q***a robt’”, ka dëshmuar Tafani.

Ai hyri në ambientet e brendshme, kërcënoi të pranishmit me armë dhe i shtriu përdhe. Më pas, me “Caddyn” e viktimës, Tafani dhe Arapi u larguan drejt Vilë-Boshtovës.

Makina e viktimës u braktis dhe u gjet e paprekur nga policia. Ata u larguan me një “Benz” të parkuar më parë dhe gjatë rrugës hodhën copat e armës “TT” nëpër ferra në zonën e Golemit.

Tafani sqaroi se i kishte fshirë pjesët e brendshme të “Caddyt” për të shmangur gjurmët, ndërsa armën “MiniBlow” e ruajti sepse nuk e kishte përdorur.

Pas krimit, me anë të aplikacionit “Encro Chat”, Arapi njoftoi Laert Haxhiun për përfundimin e vrasjes. Laerti, para largimit të tij në Greqi, mblodhi të gjitha armët, përfshirë edhe “MiniBlow”-n që Tafani mbante ditën e atentatit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit