Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë të lirë Jozefin Markun dhe shoferin e tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas incidentit të dhunës ndaj Eduard Kuçit.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria po verifikon edhe përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, është kërkuar kryerja e një akt-ekspertimi mjekoligjor për të përcaktuar nëse Eduard Kuçi ka pësuar dëmtime trupore si pasojë e sulmit.
Ndërkohë, Eduard Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Sipas hetimeve, Kuçi nuk e ka denoncuar fillimisht ngjarjen në polici, duke e përshkruar atë si një konflikt të thjeshtë, të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.
Më pas, gjatë verifikimeve të kryera nga policia, ngjarja është trajtuar si vepër penale dhe ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.