Lirohet nga qelia Ervis Alla, Prokuroria e Tiranës shpall të paligjshëm ndalimin e tij

Lirohet nga qelia Ervis Alla, Prokuroria e…

Prokuroria e Tiranës ka vendosur lirimin e menjëhershëm të Ervis Allës, i cili ishte arrestuar nga policia si i dyshuar për vendosjen e një lënde plasëse në banesën e Jakup Memishajt në Dajt. Organi i akuzës e ka cilësuar plotësisht të paligjshëm ndalimin, duke theksuar se gjatë hetimeve nuk është siguruar asnjë provë konkrete që ta lidhë atë me këtë ngjarje. Sipas Prokurorisë, fakti se Alla ka pasur një konflikt të mëparshëm me familjen Memishaj nuk përbën një bazë të mjaftueshme për ta mbajtur atë në burg. Ky konflikt kishte nisur nga një çështje e një mobilie të porositur në mobilerinë e familjes Alla, e cila nuk ishte dorëzuar kurrë, duke çuar në një kallëzim në polici. Për këtë arsye, prokuroria ka konstatuar se nuk ekzistojnë elementë që të justifikojnë masën e ndalimit.

Vendimi për lirim vjen si pasojë e shkeljeve të rënda proçedurale të konstatuara gjatë veprimeve të policisë. Në veçanti, forcat e rendit nuk kanë dokumentuar siç duhet lokalizimin e Allës në Krujë dhe nuk kanë hartuar asnjë akt zyrtar për shoqërimin e tij. Mungesa e këtyre dokumenteve thelbësore dhe e provave materiale ka bërë që i gjithë procesi i ndalimit të konsiderohet i paligjshëm nga organi i akuzës. Rrjedhimisht, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij, duke mbyllur çështjen penale ndaj tij.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit