Lista Studentore prezanton programin e ri: 4 ditë punë në javë me të njëjtën pagë, 3 muaj pushim për baballarët e rinj

Lista Studentore prezanton programin e ri: 4…

Një javë pune katërditore me pagë të plotë, më shumë të drejta për prindërit dhe përmirësime në skemën e pensioneve. Këto janë disa nga ndryshimet që Lista Studentore në Serbi propozon të sjellë përmes programit të saj të ri për punësimin dhe çështjet sociale.

Një nga propozimet që ka tërhequr më shumë vëmendje është mundësia e shkurtimit të javës së punës në vetëm katër ditë, me një total prej 32 orësh në javë, pa asnjë ulje të pagës. Megjithatë, ky model nuk do të ishte i detyrueshëm për të gjitha kompanitë, por do të mund të zbatohej nga punëdhënësit që vendosin ta adoptojnë.

Programi parashikon gjithashtu kufizimin e kontratave me afat të caktuar në 12 muaj, si dhe forcimin e mbrojtjes së punonjësve nga largimet e padrejta. Përjashtime do të kishte për raste të caktuara, si zëvendësimi i punonjësve që mungojnë përkohësisht.

Një tjetër ndryshim lidhet me pagesat shtesë për punën në kushte të veçanta. Propozimi parashikon kompensim prej të paktën 150% për punën gjatë festave zyrtare, 110% për punën të dielave dhe 50% për punën gjatë natës ose jashtë orarit. Shtesa prej 30% parashikohen edhe për punën me turne.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe familjes. Lista Studentore propozon tre muaj pushim për baballarët pas lindjes së fëmijës, si dhe zgjerimin e të drejtave të lehonisë për gratë që kanë qenë të punësuara para shtatzënisë, pavarësisht llojit të kontratës. Për më tepër, kompensimi për pushimin mjekësor gjatë 30 ditëve të para propozohet të jetë të paktën 75% e pagës përkatëse.

Ndër masat e tjera për punonjësit përfshihet edhe e drejta për t’u shkëputur nga puna pas përfundimit të orarit zyrtar, pa qenë të detyruar t’u përgjigjen telefonatave apo mesazheve të punëdhënësve gjatë kohës së lirë. Kompanitë do të duhet gjithashtu të njoftojnë punonjësit për orarin e punës të paktën shtatë ditë përpara.

Ndryshime të rëndësishme propozohen edhe për pensionistët. Lista Studentore kërkon indeksimin e pensioneve dy herë në vit, një rritje shtesë prej 5% për pensionet më të ulëta, si dhe krijimin e një pensioni social për personat mbi 65 vjeç që nuk kanë plotësuar kushtet për të përfituar pension kontributiv.

Programi përfshin edhe masa të tjera për mbështetjen e familjeve, rritjen e ndihmës sociale dhe mbrojtjen e kategorive më të cenueshme.

Megjithatë, të gjitha këto mbeten propozime të Listës Studentore dhe nuk janë ende ndryshime të miratuara ligjore. Për t’u zbatuar, ato do të kërkonin përgatitjen e ndryshimeve përkatëse në legjislacionin serb dhe mbështetjen e nevojshme institucionale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit