Lleshaj blen 50 mln Lekë simite në Lushnjë... te biznesmenët me histori korrupsioni në tendera

Lleshaj blen 50 mln Lekë simite në…

Në një tender, fituesi i të cilit është shpallur së fundi, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka vendosur të shpenzojë rreth 50 milionë Lekë për të blerë bukë e simite.

Më herët gjatë kësaj jave, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “Blerje bukë gruri dhe simite”.

Fituesi është kompania “4 S” SHPK me seli qendrore në Lushnje, që sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është në pronësi të Xhino Sinanit.

Firma fituese do të përfitojë mbi 50 milionë Lekë për të furnizuar me bukë e simite agjencinë shtetërore nën varësi të Ministrisë së Brendshme, të drejtuar nga Sandër Lleshaj.

Në garë për tenderin kanë marrë pjesë 6 kompani.

Dy prej tyre janë skualifikuar pasi nuk kanë paraqitur ofertë.

Sipas dokumenteve zyrtare, janë skualifikuar po ashtu dhe dy kompani të tjera, njëra prej të cilave kishte ofertë më të ulët se “4 S” SHPK.

Në garë kanë mbetur dy firma dhe fituese është shpallur ajo me ofertën më të ulët – “4 S” SHPK.

Agjencia e Prokurimeve Publike ka bërë me dije se ka pasur ankesa nga operatorët e skualifikuar. 

Korrupsioni me tenderat

Pronari i “4 S” SHPK Xhino Sinani është djali i Shemsi Sinanit.

Ky i fundit u arrestua nga Policia e Shtetit më 11 Korrik 2016 bashkë me biznesmenë të tjerë.

Prangosja erdhi pasi Prokuroria për Krime të Rënda kishte zbuluar një rast korrupsioni në tenderat e ushqimeve për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku ishin përfshirë kompanitë e biznesmenëve të arrestuar (të cilët kanë përfituar disa tendera nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara: Lexo këtu dhe këtu).

Mes tyre, dhe ajo e Shemsi Sinanit.

Në vitin 2018, Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 4 vite burg Shemsi Sinanin.

Muajt e fundit, kompania “4 S”, nën pronësinë e të birit të Shemsi Sinanit – Xhinos, ka fituar 8 tendera të zhvilluar nga agjencia në varësinë e ministrisë së Brendshme, për një total prej rreth 60 milionë lekë të reja.

Ja si bëhen paratë o njerëz… edhe me bukë e simite bëhen milionat.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit