Më shumë se 150 persona mbetën të lënduar në tragjedinë e Koçanit, ku zjarri shkatërrimtar në lokalin “Pulse” i mori jetën 59 të rinjve.
Përveç plagëve të shkaktuara nga flakët, të mbijetuarit tashmë përballen me një tjetër rrezik serioz: ekspozimin ndaj azbestit, një material kancerogjen. Sipas raportimeve, çatia e godinës së përshtatur si klub nate ishte e mbuluar me eternit, një lloj azbesti që është përdorur dikur për izolimin e çative për shkak të qëndrueshmërisë ndaj ujit dhe nxehtësisë.
Megjithatë, që nga viti 2005, përdorimi i tij është ndaluar në të gjitha vendet e Evropës për shkak të rreziqeve të mëdha shëndetësore. Kur pllakat e azbestit dëmtohen, grimcat e tyre mund të shpërndahen lehtësisht në ajër dhe, nëse thithen për një kohë të gjatë nga njerëzit me anë të rrugëve të frymëmarrjes, rrisin ndjeshëm rrezikun e kancerit të mushkërive.
Në rastin e tragjedisë së “Pulse”, tymi i zjarrit mund të ketë përhapur pluhurin e azbestit, duke ekspozuar të mbijetuarit ndaj pasojave të rënda afatgjata. Në ditët në vijim pritet të kryhen analiza të detajuara për të vlerësuar ndikimin e këtij ekspozimi dhe për të përcaktuar rrezikun e mundshëm për shëndetin e tyre.