Këta tinguj të pasurisë shpirtërore shqiptare janë bërë pjesë e një prej produksioneve më të mëdha të Hollivudit. Mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj, ka interpretuar meloditë që janë përdorur në kolonën zanore të filmit më të ri të Christopher Nolan, “Odisea”. Regjistrimet u zhvilluan në Vlorë, në Teqenë e Kuzum Babait, ku u realizuan edhe disa prej skenave të filmit, ndërsa kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, punoi për rreth pesë orë me artistin shqiptar për të regjistruar tingujt autentikë të Labërisë.
Kapaj tregoi se kontakti me ekipin e filmit u vendos përmes një miku të tij, pasi krijuesit e “Odisea” kishin studiuar prej kohësh muzikën tradicionale shqiptare dhe e kishin gjetur atë përmes rrjeteve sociale dhe emisioneve televizive. Ai interpretoi i vetëm me fyell dhe culë dyjare, ndërsa çdo interpretim u regjistrua me kujdes nga ekipi i produksionit. Sipas artistit, Göransson mbeti i impresionuar nga tingujt e instrumenteve tradicionale dhe e vlerësoi interpretimin e tij si të rrallë.
Ndërkohë edhe kompozitori Vasil Sofokli Tole ka bërë të ditur se ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të muzikës për filmin “Odiseja” (The Odyssey), me regji të Christopher Nolan, duke vlerësuar përfshirjen e elementëve të muzikës tradicionale shqiptare në kolonën zanore të filmit.
Filmi “Odisea” ka nisur tashmë shfaqjen në kinematë botërore, duke sjellë para publikut ndërkombëtar edhe tingujt e trashëgimisë muzikore shqiptare. Për Vendim Kapajn, pjesëmarrja në këtë produksion përfaqëson kulmin e karrierës së tij artistike dhe një moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare, pasi fyelli, cula dyjare dhe fryma e iso-polifonisë së Labërisë janë bërë pjesë e kolonës zanore të një filmi me jehonë globale.
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F923797157410391%2F&show_text=false&width=267&t=0″ width=”267″ height=”476″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share” allowFullScreen=”true”></iframe>