Lufta e çmendur për pronësinë e ‘Folie Marine’

Lufta e çmendur për pronësinë e ‘Folie…

Përfshirja e qeverisë përmes dhënies së statusit ‘investitor strategjik’ kompanisë që zotëron një nga resortet më luksoze të rivierës shqiptare e ka rënduar përplasjen mes palëve që pretendojnë pronësinë mbi tokën, duke zhytur në kaos kadastrën e Vlorës.

Nga fillimi i shtatorit, zyra e kadastrës në Vlorë regjistroi një seri të pazakontë largimesh nga puna të drejtuesve të saj. Brenda pak muajsh, katër drejtues të këtij institucion dhanë dorëheqjen me pretendimin se vendimi i tyre bazohej në arsye personale dhe familjare.

Megjithatë, të dhënat dhe dokumentet e mbledhura nga BIRN tregojnë se ndryshe nga sa është deklaruar publikisht, dorëheqjet mund të kenë qenë të detyruara për shkak të një konflikti të fortë për një tokë me vlerë miliona euro në bregdetin e fshatit Jalë, mbi të cilën ngrihet një pjesë e resortit luksoz ‘ Folie Marine.’

Në mënyrë më specifike, dorëheqjet lidhen me refuzimin nga zyrtarët e Kadastrës në Vlorë për të regjistruar një vendim të Gjykatës së Lartë që pezullonte veprimet e regjistrimit të pronësisë mbi një sipërfaqe toke prej 148 mijë metrash katrorë në bregdetin e fshatit Jalë – një prej zonave më të lakmuara të Rivierës.

Vendimi i Gjykatës së Lartë u vu në lëvizje nga Avokatura e Shtetit, e cila bëri rekurs ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit të Vlorës që ia njihte këtë pronë familjes Gjoka nga Vunoi. Vendimi nxorri në sipërfaqe një konflikt që vijonte prej vitesh për pronën me vlerë miliona euro.

Përplasja- sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar- është fokusuar kryesisht mbi pronësinë e 1.6 hektarëve truall, mbi të cilat është ndërtuar klubi i natës ‘Folie Marine’ dhe dy godina pjesë të së njëjtit kompleks turistik. Mbi të njëjtën pronë, kompanisë ‘Soleil & Sea’ i është dhënë nga qeveria statusi i ‘investitorit strategjik’ dhe po ndërton aty një fshat turistik të njohur si ‘Soleil Village’.

Vlera e këtij investimi, sipas Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama është 67 milionë euro. Qeveria merr përsipër edhe mbështetjen e investitorit në problemet e pronësisë ndaj palëve të treta, por konflikti për këtë pronë duket se i ka dalë jashtë kontrollit.

Një prej palëve në konflikt, Kristo Gjoka, i cili fitoi të drejtat mbi pronën me vendim e shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë, akuzon në një kallëzim penal biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t’ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.

Biznesmeni Xhillari është kundërpërgjigjur po ashtu me kallëzim penal ndaj Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal“. Kallëzimi që Xhillari ia vuri në dispozicion BIRN është firmosur në emër të kompanisë Kempixh – një shoqëri të cilën ai e ka zotëruar dikur dhe që ka në pronësi disa prej godinave në resortin turistik.

Vetë Xhillari la të kuptohej se ai ishte investitori pas fshatit turistik, edhe pse kompania që mori statusin e investitorit strategjik është regjistruar në emër të dikujt tjetër. Të dyja palët pretendojnë implikimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë socialiste në favor të njërit apo tjetrit.

Nga ana e saj, qeveria shqiptare përmes Avokatit të Shtetit ka marrë në zotërim me një vendim të Gjykatës së Apelit pronësinë e disa sipërfaqeve të tokës, të cilat ishin regjistruar në emër të Jani Kostës, ish-administrator i kompanisë Kempixh. Avokati i Shtetit ka bërë gjithashtu rekurs edhe ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë për pasuritë që i ishin njohur Kristo Gjokës. Avokatura po ashtu kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të kësaj gjykate.

Familja Gjoka i sheh qëndrimet e Avokatit të Shtetit si një përpjekje për ta zhveshur atë nga prona, e cila në rast se kthehet nën pronësinë e shtetit i kalon investitorit strategjik, sipas ligjit për këtë të fundit.

E gjithë situata e krijuar duket si simptomë e abuzimit ndër vite me pronat në bregdet, të cilat rezultojnë të pamenaxhuara, pa harta kadastrale dhe me një mori pretendimesh për mbivendosje.

Ndërkohë, ndërhyrja e qeverisë duket se e ka acaruar edhe më shumë situatën, pasi kjo e fundit përmes statusit të investimeve strategjike vendoset në krah të njërës palë në proceset e kontestuara të pronësisë.

‘Grupe të strukturuara kriminale’

Ligji i debatueshëm i investimeve strategjike, i miratuar në vitin 2015, është përdorur edhe më herët për bllokimin e njohjeve të pronësisë për banorët e fshatrave të bregdetit në favor të kompanive që kanë marrë të drejta për investime në struktura turistike.

Lista e kompanive që kanë përfituar statusin e investitorëve strategjikë përfshin aktualisht 8 shoqëri. Statusi jepet nga një institucion i quajtur Komiteti i Investimeve Strategjike. Në listën e tokave të dhëna me këtë ligj gjenden parcela në Gjirin e Lalzit, në Dhërmi dhe në Sarandë.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka miratuar gjithashtu një masterplan për zonën e jugut të Shqipërisë si dhe ka në proces miratimin e masterplaneve për zona të tjera bregdetare, ku parcela të mëdha toke janë ndarë më vete të shënjuara si zona për “investime strategjike”.

Investigimet e mëparshme të BIRN kanë zbuluar se ngjashëm me rastin e resortit ‘Folie Marine’, disa nga këto investime strategjike në bregdetin e Jonit janë ndërtuar gjithashtu në toka të kontestuara.

Në një kallëzim penal ndaj 10 individëve të depozituar me 1 nëntor 2019 – ku përfshihet edhe biznesmeni Alban Xhillari, Kristo Gjoka pretendon se ky i fundit përmes kërcënimit dhe ryshfetit po synonte bllokimin e pronës së tij dhe çregjistrimin e saj nga kadastra e Vlorës.

Gjoka rendit ndër të kallëzuarit e tij edhe kreun aktual të kadastrës së Vlorës, Taulant Canameti dhe Jani Kostën – për të cilin thotë se është i afërm i Alban Xhillarit, si dhe disa persona të tjerë që sipas tij kanë gisht në përpjekjet për të tjetërsuar pronën. Ai pretendon se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit