
Para dy muajsh erdhi në jetë Dearti, një foshnje që nëna e tij e thërret me dashuri “Dielli i Artë”. Një engjëll i vogël që ende nuk ka pasur mundësinë të përqafojë babain, vëllain e vogël apo të ndjejë ngrohtësinë e vërtetë të familjes.
Që në sekondat e para të jetës, jeta e tij nisi me betejë. Lindi para kohe dhe u intubua menjëherë. Për një moment u duk sikur gjithçka po shkonte më mirë. Dearti filloi të merrte frymë vetë, dhe buzëqeshja nisi t’i rikthehej ngadalë nënës së lodhur. Por një lajm i rëndë ua rrëzoi sërish shpresat. Koka e vogël e Deartit po zmadhohet me shpejtësi për shkak të një problemi të rëndë shëndetësor që i rrezikon jetën çdo ditë.
Mjekët kanë bërë të qartë se shpëtimi i tij kërkon ndërhyrje të specializuar jashtë vendit. Ai duhet të dërgohet urgjentisht në Itali për trajtim, përndryshe pasojat mund të jenë tragjike.
Prindërit nuk kanë më fuqi. Dy muaj me radhë kanë shkelur çdo ditë në spital, me lot në sy dhe shpresën në zemër. Sot, ajo shpresë janë vetëm njerëzit që mund të dëgjojnë këtë histori dhe të zgjedhin të ndihmojnë. Nuk kanë më asgjë, përveç lutjes për një mrekulli dhe besimit tek zemra e madhe e shqiptarëve.
Çdo ndihmë, çdo shpërndarje, çdo kontribut, është një hap drejt shpëtimit të Deartit. Jeta e tij varet nga ne të gjithë.