
Teksa Izraeli gjendet në luftë, në vendin hebre ka shpërthyer zemërimi kundër djalit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, pasi ky i fundit është shfaqur duke u relaksuar në Majemi.
Edhe pse 360 mijë izraelitë u kthyen nga jashtë në Izrael për t’iu përgjigjur mobilizimit të urdhëruar në shtetin hebre që shkoi në luftë në Rripin e Gazës, Yair Netanyahu vendoste që të qëndronte në SHBA.
Kjo nuk është hera e parë që 32-vjeçari gjendet në mesin e polemikave, pasi ai njihet për shpërthimet e tij politiko-ideologjike të bazuara në sloganet e së djathtës më ekstreme nacionaliste, ashtu edhe për veprimet e një ekzistence private si person i privilegjuar në të cilin nuk i ka munguar asgjë, përfshirë flirtet me modelet skandinave dhe inkursione të përgjuara nga paparacët në disa klube striptizi.
Pas shpërthimit të konfliktit në Gaza, vëmendja u kthye tek ai, pasi pak kohë më parë Yair nuk kishte ngurruar t’i cilësonte si “terroristë” bashkatdhetarët që dolën në rrugë kundër babait të tij.
Po ashtu nuk kanë munguar sulmet ndaj kryeministrit izraelit, të cilit i kujtojnë se në kohën kur vendi gjendet në luftë, i biri është duke shijuar jetën në SHBA.