“Lufta” për një vajzë përfundon te thika, shqiptari tenton të vr*së marokenin

“Lufta” për një vajzë përfundon te thika,…

Një konflikt që dyshohet se ka nisur për motive xhelozie përfundoi në një përleshje të dhunshme me thika në Treviglio të Italisë. Një 35-vjeçar me origjinë marokene mbeti i plagosur rëndë, ndërsa një 22-vjeçar shqiptar u arrestua dhe akuzohet për tentativë vrasjeje.

Ngjarja ndodhi të enjten mbrëma, rreth orës 22:00, pranë stacionit të trenit. Dy personat zbritën nga i njëjti tren dhe nisën të debatonin, ndërsa përplasja u përshkallëzua më pas në dhunë fizike.

Sipas hetimeve, konflikti vijoi pak më vonë në një parkim pranë bulevardit Vittorio Veneto dhe xhamisë. 22-vjeçari dyshohet se ndoqi 35-vjeçarin, i armatosur me dy thika, dhe e goditi në krah dhe në shpinë.

Disa dëshmitarë, që ndodheshin në zonë, njoftuan menjëherë ambulancën. I plagosuri u dërgua në spitalin e Treviglios në gjendje të rëndë. Gjendja e tij më pas u stabilizua, por ai vijon të jetë i shtruar me prognozë të rezervuar.

Karabinierët kanë sekuestruar një thikë me teh të palosshëm dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar ngjarjen.

22-vjeçari ka pranuar se e ka goditur me thikë 35-vjeçarin, por pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje. Hetuesit dyshojnë se në qendër të konfliktit mund të jetë një lidhje sentimentale.

I riu pritet të dalë të hënën para gjyqtarit për hetimet paraprake, në seancën për vleftësimin e arrestit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit