Lufta Rama-Meta-Berisha për pushtet, Gjykata e Strasburgut del me vendimin për vrasjet e 21 janarit

Lufta Rama-Meta-Berisha për pushtet, Gjykata e Strasburgut…

4 persona të pafajshëm humbën jetën në 21 janar 2011. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

 Në atë kohë, Partia Socialiste atëherë në opozitë, thirri një protestë kundër qeverisë së Sali Berishës, pas publikimit të një video përgjimi për Ilir Metën.

Në këtë video, Meta atë kohë zëvendës kryeministër, në qeverinë Berisha shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti.

Protesta në thelb kishte rrëzimin e qeverisë Berisha. Meta ishte arsyeja e daljes në shesh të qytetarëve, e që vite më pas Rama e mori pranë vetes kreun e ish-LSI për të bërë koalicion e për të ardhur në pushtet.

4 vite qeverisje Rama-Meta, nuk pati asnjë reagim nga gjykatat shqiptare, tek të cilat kishte humbur edhe besimi i familjarëve për drejtësi.

Familjarët e Aleks Nikës bënë një padi në Gjykatën e Strasburgut, ku në vendimin e saj thotë se Nika u vra nga shteti, i cili u mundua të fshihte krimin.  Gjykata e Strasburgut deklaron gjithashtu se provat treguan se Garda qëlloi drejt protestuesve.

‘Plani masave të Gardës ishin në shkelje që nuk garantonin jetën, pra shteti ka përgjegjësi për vrasjen, Ne proteste pati perdorim te pajustifikuar te forces vdekjeprurese”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Strasburgut.

Gjykata rrëzon pretendimet e qeverisë së atëhershme se janë shteruar të gjithë mjetet juridike për zbardhjen e këtij  krimi. Duke vendosur të pranojë padinë e familjarëve të Aleks Nikës, Gjykata e Strasburgut shton se ka pasur shkelje të detyrimit procedural të nenit 2 të konventës.

Kujtojm se dy vite më parë, Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa familjarët kërkuan që çështjen ta marrë SPAK.

Kur kanë kaluar më shumë se 12 vjet nga ngjarja e rëndë, sot duket se bashkëpunimet politike janë njësoj. Në 2011 Berisha e Meta ishin bashkë në qeveri dhe Rama kërkonte largimin e tyre, ndërsa sot ata kanë formuar koalicion opozitar, pikërisht për të rrëzuar Ramën nga pushteti.

E gjithë “lufta” politike mes tyre ka një qëllim të vetëm, mbajtja e pushtetit me çfarëdo lloj forme. ndërsa pasojat më pas i vuajnë qytetarët e thjeshtë, të cilët kanë më shumë se 33 vjet që shpresojnë për ditë më të mira, e që deri më sot vetëm janë zhgënjyer.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit