“Luftë” për kontrollin e drogës në Siçili, në qendër rrjeti shqiptar dhe grupi i Gurrierit

“Luftë” për kontrollin e drogës në Siçili,…

Një përplasje e fortë për kontrollin e trafikut të drogës dyshohet se ka tronditur gjatë muajve korrik-gusht zonën e Vittorias, në provincën e Raguzës, në juglindje të Siçilisë.

Sipas një investigimi të gazetarit Giuseppe Bascietto për “Gli Stati Generali”, në konflikt janë përfshirë një grup i lidhur me Giovanni Gurrierin dhe një rrjet shqiptar me lidhje të konsoliduara në Vittoria, Santa Croce Camerina dhe përgjatë bregdetit të Raguzës.

Rindërtimi mediatik përmend një seri episodesh të rënda, mes tyre kërcënime, agresione, një automjet të djegur dhe një përleshje të dhunshme në një lokal. Megjithatë, investigimi thekson se informacionet bazohen në burime të cituara nga media italiane dhe nuk përbëjnë në vetvete prova gjyqësore.

Në qendër të historisë janë dy shqiptarët Auglent “Denny” Lalollari dhe Luzim Ndreu, i njohur me nofkën “Giuliu ’u Tistuni”.

Sipas burimeve të përmendura në investigim, të dy do të ishin pjesë e të njëjtit ambient kriminal. Disa persona i përshkruajnë si “xhaxhai dhe nipi”, por media italiane sqaron se kjo shprehje nuk provon domosdoshmërisht një lidhje familjare dhe mund të lidhet me diferencën në moshë apo me raportin e autoritetit mes tyre.

Përplasja dyshohet se ka nisur në lokalin La Lucciola, ku Gurrieri u ka kërkuar disa personave, të cilët burimet i lidhin me Ndreun, të ndërprisnin aktivitetin e drogës. Ai më pas ka kërkuar të takohej me personin që konsiderohej drejtues i këtij grupi.

Takimi nuk u realizua.

Pas refuzimit, sipas rindërtimit të “Gli Stati Generali”, një automjet që i atribuohet Ndreut është djegur. Më vonë, po në ambientet e të njëjtit lokal, Ndreu dyshohet se është sulmuar fizikisht nga Gurrieri.

Por konflikti nuk duket se është kufizuar vetëm te përplasja mes dy grupeve të dyshuara për aktivitet në trafikun e drogës.

Në investigim përmenden edhe vëllezërit Di Modica, të përshkruar si persona të afërt me klanin Matriali dhe me një figurë të njohur si “u Puorcu”. Sipas rindërtimit mediatik, ata dyshohet se janë sulmuar në banesat e tyre, madje edhe në prani të familjarëve.

Një prej tyre, Aurelio Di Modica, rezulton sipas investigimit i pandehur në të njëjtin proces ku figuron edhe Lalollari.

Në këtë tablo, media italiane e përshkruan situatën si një përpjekje për të ndryshuar ekuilibrat kriminalë në territorin e Raguzës. Bëhet fjalë për një zonë ku grupet lokale dhe rrjeti shqiptar dyshohet se ruajnë autonominë e tyre, por njëkohësisht kanë krijuar interesa dhe marrëdhënie të përbashkëta.

Përplasjet e muajve të fundit kanë sjellë kështu në vëmendje një luftë të dyshuar për kontrollin e territorit dhe të trafikut të drogës në juglindje të Siçilisë, ndërsa investigimi italian pritet të publikojë edhe detaje të tjera mbi Luzim Ndreun, Auglent Lalollarin dhe mënyrën se si dyshohet se funksionon ky rrjet në zonën e Raguzës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit