Prej disa vitesh, në Lukovë, një ndërtesë pa leje e shembur pranë vijës bregdetare vazhdon të mbetet e papastruar, duke lënë pas gërmadha që prishin pamjen e një prej zonave turistike të Rivierës Shqiptare.
Edhe pse objekti u prish me argumentin e rikthimit të hapësirës publike dhe mbrojtjes së bregdetit, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim për pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të territorit. Si pasojë, vizitorët dhe pushuesit përballen me një panoramë që nuk përputhet me standardet që synohen të promovohen për turizmin.
Në një kohë kur institucionet flasin për zhvillimin e turizmit elitar dhe përmirësimin e imazhit të vendit, raste të tilla ngrenë pikëpyetje mbi menaxhimin e hapësirave publike dhe mirëmbajtjen e tyre. Një bregdet i pastër, i sistemuar dhe i mirëmbajtur është kushti minimal për të tërhequr turistë me standarde të larta.
Qytetarët thonë se përpara se të kërkohet turizëm elitar, është e domosdoshme të pastrohen dhe rehabilitohen zonat që prej vitesh janë lënë në harresë. Sipas tyre vetëm një administrim i përgjegjshëm i territorit mund të përforcojë imazhin që Shqipëria synon të ndërtojë si destinacion turistik cilësor.