Lamtumira e fundit! Trëndafila të bardhë hidhen në det në kujtim të Enrikut

Lamtumira e fundit! Trëndafila të bardhë hidhen…

Një trëndafil në dorë, një lule mbi dallgë dhe shumë lot që nuk mundën të fshiheshin. Kështu u përkujtua gazetari Enrik Mehmeti, në vendin që e deshi dhe e promovoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë u mblodhën në bregdetin e Vlorës për t’i bërë homazhe njeriut që për vite me radhë e ktheu zërin dhe kamerën drejt qytetit të tij, duke treguar bukuritë, historitë dhe njerëzit e tij me pasion e përkushtim.

Mes një atmosfere të mbushur me emocione, të pranishmit hodhën lule në det, si një simbol lamtumire për gazetarin që e kishte detin pjesë të pandashme të jetës dhe punës së tij. Çdo lule që preku dallgët dukej sikur mbante me vete një kujtim, një falënderim dhe një premtim se Enriku nuk do të harrohet.

Gjatë ceremonisë u mbajtën fjalë përkujtimore, u lexua letra prekëse e vëllait të tij. Ata që e njohën e përshkruan Enrik Mehmetin si një njeri që nuk kursente as kohën dhe as energjitë për të treguar anën më të bukur të Vlorës.

Sot, ai nuk është më fizikisht mes tyre, por kujtimi i tij do të vazhdojë të jetojë në çdo kronikë që la pas, në çdo cep të Vlorës që promovoi me krenari dhe në zemrat e të gjithë atyre që e deshën.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit