Lushnjarët nuk pyesin për burgun, i japin 330 milionë Luan Kaprit për pastrimin e qytetit

Lushnjarët nuk pyesin për burgun, i japin…

Vetëm pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe, u arrestua për shkak të parregullsive në një tender të dhënë nga institucioni i tij. Por duket se ky fakt nuk i ka trembur aspak lushnjarët dhe kanë vazhduar për habi të organizojnë të tjerë tendera të dyshimtë. I tillë është rasti që do ju paraqesim në vijim. Bashkia Lushnje, e cila aktualisht drejtohet nga Eriselda Sefa, ka organizuar një tender të ri me objekt ” Shërbimi i pastrimit dhe grumbullimi i mbetjeve urbane në Bashkinë Lushnje”.

Tenderi në fjalë mban numrin e referencës REF-91787-03-30-2021 dhe ka si fond limit shifrën prej 31,409,034 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 380 milionë lekë të vjetra me TVSH. Po ku qëndron problemi do pyesni ju me të drejtë? Vihet re nga shqyrtimi i dokumentacionit të kësaj procedure, se në të kanë marrë pjesë katër firma. Mirëpo për habi ndonëse njëra prej tyre ka ofruar vlerën më të ulët, ajo është skualifikuar. Nuk bëhet fjalë për diferenca të vogla, por për një shifër prej gati 45 milionë lëkësh të vjetra me TVSH.

Këto para në rastin më të mirë janë një humbje e pastër për shtetin shqiptar. Por cili është shpallur fitues? Rezulton se tenderin e ka fituar firma REJ më vlerë të ofruar prej 27,446,311 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 330 milionë lekë të vjetra me TVSH, në pronësi të Luan Kaprit. Ky i fundit është kushëriri i parë me ish-kryetarin demokrat të Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kaprin. Duket se ndasitë politike nuk ndikojnë fare kur bëhet fjalë për para.

Megjithatë, edhe nëse shikojmë afërsinë mes vlerës fituese dhe fondit limit, lindin dyshime për parregullsi, pasi rezulton se kjo vlerë është sa 87.38% e këtij fondi. Nga ana tjetër vihet re gjithashtu se për këtë tender ka patur shumë ankesa. Megjithatë komisioni ka vendosur qe fitues do të vazhdojë të jetë Luan Kapri, ndonëse ka ofruar gati 45 milionë lëkë më shumë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit