Makinat e rralla/ Tirana ngjante dikur si Hawana e Kubës, ja markat që qarkullonin në rrugë…

Makinat e rralla/ Tirana ngjante dikur si…

Në Tiranën e viteve ‘50-‘60 qarkullonin makina të ndryshme të kohës, pjesa më e madhe prodhim i vendeve të Lindjes, por tek-tuk syri të zinte edhe ndonjë automobil perëndimor.

Këto automjete, kryesisht autoveturat, ishin vërtet mjete ‘luksi’ për atë kohë, por shumë prej llojeve më të mira ishin edhe ‘taksi’.

Në ato vite Tirana i ngjasonte asaj kartoline që sot shikojmë për Hawana-n e Kubës, me ndërtesa të vjetra të stilit komunist dhe me vetura të modeleve klasike.

Veturat që në ato vite qarkullonin në rrugët dhe qendrën e Tiranës dhe të qyteteve kryesorë të vendit, sot nuk i gjen as në gjendje për skrap.

Shumë prej modeleve klasike që bota i ruan si souvenir, janë zhdukur pa lënë gjurmë nga rrugët dhe garazhet tona.

Me anë të kësaj fotogalerie, po sjellim disa imazhe të rralla të Tiranës së atyre viteve, ku nëpër rrugët e saj shikohen modele të rralla autoveturash kryesisht Lindore, si dhe një specifikim të modeleve në fjalë.

Autovetura si: “Skoda 1201” (shumë e përhapur në atë kohë dhe që shihej akoma deri nga fundi i viteve 60-të), apo “GAZ-20 Pobieda”, “Moskviç 400”, “EMW”, “ZIS 110”, “IFA F9”, “Tatra 97”, “T600 Tatraplan”, “Varshawa” etj., ishin makinat që qarkullonin në ato vite, por edhe që shihen në këto foto bardh e zi.

Makina të tilla do të ishin dinjitoze të qëndronin të paktën nëpër disa prej muzeve tonë, apo akoma më bukur sikur të qarkullonin sot nëpër rrugë, por furia e modernizimit ka zhdukur pa gjurmë jo vetëm këto modele të rralla, por edhe modele të tjera më të vona, që janë fshirë nga qarkullimi pa nam e nishan.

Ndërkohë, nëpër rrugët e Europës dhe jo vetëm në vendet e Lindjes, syri të kap jo pak makina të rralla dhe klasike, të cilat pronarët e tyre i ruajnë me fanatizëm.

Edhe disa automjete të vjetra të cilat mbetën në parkun e Kinostudios për vite me radhë në mëshirë të fatit, sot ose janë zhdukur ose u ka mbetur vetëm karkasa e llamarinës, megjithëse mbi rrota dhe shpinë mbartin vite të tëra me histori…/Burimi: Mapo.al/E.K./Gazetaatdheu.com/

[ngg src=”galleries” ids=”35″ display=”basic_imagebrowser”]

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit