Malësi e Madhe: Gjermani i hedh benzinë makinës dhe plagos me thikë 2 policë

Malësi e Madhe: Gjermani i hedh benzinë…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Hani i Hotit-Shkodër, ku një shtetas gjerman ka sulmuar me thikë dy punonjës policie gjatë tentativës për neutralizimin e tij.

Gjithçka ka nisur rreth orës 17:30, kur sallat operative të Policisë së Shkodrës janë njoftuar nga një 27-vjeçar se drejtuesi i një mjeti tjetër i kishte hedhur benzinë mbi automjet pranë një pike karburanti afër pikës kufitare të Hanit të Hotit.

Pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar makinën e dyshuar në fshatin Pjetroshan.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe ka shfaqur rezistencë agresive. Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit për ta prangosur, 47-vjeçari ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S.

Dy efektivët e plagosur janë transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Pavarësisht sulmit, shërbimet e policisë kanë arritur ta neutralizojnë agresorin gjerman dhe ta shoqërojnë atë në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motivit të këtij sulmi me rrezikshmëri të lartë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit