Mali i Robit, 20 vite pa rrugë të shtruar! Banori apel për ndërhyrje

Mali i Robit, 20 vite pa rrugë…

Një banor i rrugës “Iliria”, në Plazhin e Malit të Robit, ka denoncuar mungesën e investimeve dhe shërbimeve bazë në zonë. Sipas tij, prej 20 vitesh rruga nuk është shtruar, ndërsa gjendja e saj ka shkaktuar dëmtime të automjeteve. Banori ngre gjithashtu shqetësimin për mushkonjat, duke deklaruar se zona nuk është dezinfektuar asnjëherë dhe se situata është kthyer në një makth për banorët.

Sipas denoncimit, pas nisjes së punimeve për ndërtimet e reja janë hequr edhe kazanët e mbeturinave, duke e rënduar më tej situatën gjatë sezonit turistik. Banori thekson se taksat paguhen rregullisht, ndërsa për plazhin duhet të paguajnë, pasi sipas tij nuk ka hapësira të mjaftueshme për plazh publik. Ai u bën apel institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës, higjienës dhe shërbimeve në zonë.

Denoncim:

Përshëndetje. Jam një banor në rrugën “Iliria”, në Plazhin e Malit të Robit. Kam blerë shtëpinë para 20 vitesh në këtë zonë. Erdhëm pa fëmijë në këtë shtëpi, ndërsa tashmë fëmijët janë bërë burra dhe rruga nuk u shtrua kurrë. Makinat na janë dëmtuar nga rruga e pashtruar. Nuk po flas për mushkonjat, që na janë kthyer në makth, sepse kjo zonë nuk është dezinfektuar asnjëherë. Tani, me fillimin e punimeve për ndërtimet e reja, na hoqën edhe kazanët e mbeturinave dhe kjo është gjendja në të cilën ndodhemi këtë verë. Taksat i paguajmë, ndërsa plazhin e kemi me pagesë, pasi nuk ka asnjë hapësirë për plazh publik. Shpresojmë që ky denoncim të shkojë aty ku duhet dhe të merren masat e duhura. Faleminderit!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit