Mali i Tomorit mes lutjeve dhe ndotjes, lëkurat e kurbaneve hidhen në shkurre

Mali i Tomorit mes lutjeve dhe ndotjes,…

Për pesë ditë, besimtarë dhe pelegrinë nga vende të ndryshme i janë bashkuar pelegrinazhit në Malin e Tomorit, pranë Teqesë së Kulmakut dhe varrit të Abaz Aliut. Gjatë këtyre ditëve zhvillohen ritet fetare të festës, ndërsa pelegrinët luten për shëndet, mirësi dhe paqe në familjet e tyre.

Në shenjë mirësie dhe si pjesë e traditës së kësaj feste të shenjtë, besimtarët që marrin pjesë në pelegrinazh kryejnë edhe ritin e kurbanit, duke bërë një qengj për veten dhe familjen.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur therja e kurbaneve kryhej në mënyrë të pakontrolluar dhe në vende të ndryshme, këtë vit është përcaktuar një hapësirë e posaçme për këtë proces. Megjithatë, duket se problemi nuk është zgjidhur tërësisht.

Pas therjes së qengjave, lëkurat e bagëtive të imta janë hedhur në shkurret pranë zonës së kurbaneve, duke krijuar një situatë shqetësuese për mjedisin dhe duke e kthyer një traditë fetare në një problem të rëndë higjieno-sanitar.

Temperaturat e larta ekstreme të këtyre ditëve e përkeqësojnë situatën, pasi mbetjet dhe lëkurat e hedhura në natyrë dekompozohen shpejt dhe përhapin erë të rëndë në zonën përreth.

Pelegrinazhi në Malin e Tomorit është një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare dhe shpirtërore për besimtarët bektashinj, ndaj ruajtja e pastërtisë së zonës dhe menaxhimi i mbetjeve mbetet një përgjegjësi që duhet të shoqërojë edhe këtë traditë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit