Mali i Tomorrit vazhdon të masakrohet, firma me licence të pezulluar nxirrte pllaka dekorative

Mali i Tomorrit vazhdon të masakrohet, firma…

Mali i Tomorrit, i ndodhur larg syve të publikut dhe mediave, është bërë “Parajasa” e atyre që po bëjnë milionat duke zhvatur dhe shkatërruar pasurtitë natyrore.

Prej vitesh një pjesë e këtij mali që konsiderohet edhe si “Mal i shenjt”, është kthyer në një minierë të hapur mermeri dhe pllakash guri.

Por kjo jo vetëm që ka prishur peisazhin natyror, por ka vënë në pikëpuetje edhe ekzistencën e këtij mali.

Firma të ndryshme private që përflitet se kanë lidhje ose “bekimin” e Presidentit Ilir Meta, shfrytëzojnë malin për të nxjerrë pllaka dekorative dhe mermer.

Disa kohë më parë vet ministri i Turizmit, Blendi Klosi, u orvat që ta bllokonte këtë aktivitet, madje edhe me forcën e policisë.

Por me sa duket, mosmarrëveshjet mes “të mëdhenjve” janë fashitur dhe ujdija është gjendur sërish, për deri sa në këtë mal ka rinisur aktiviteti i kompanive të gurit.

Mirëpo së fundi, policia duket se ka punuar pak në këtë zonë dhe ka arrestuar dy persona që po merrnin gurë në mal të Tomorrit.

Njoftimi i Policisë së Beratit:

“Policia e Beratit vijon kontrollin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në malin e Tomorit.

Ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative edhe pse i kishin pezulluar licencën, kapet dhe vihet në pranga administratori i firmës.

Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti është shpallur në kërkim.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  • D. L., 26, vjeç, banues në fshatin Novaj, Skrapar, administrator i një subjekti që i është revokuar licenca e ushtrimit te aktivitetit, me objekt veprimtarie “Grumbullim, përpunim dhe tregtim i gurëve dekorativë”;
  • S. K., 40 vjeç, banues në Poliçan, punonjës i një subjekti;

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Q., 61 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit.

Arrestimi i dy shtetasve dhe shpallja në kërkim e administratorit u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, kanë konstatuar me dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.

Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive.

Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit