Mali i Zi rrit rrogat nga janari, paga minimale arrin deri në 1400 €

Mali i Zi rrit rrogat nga janari,…

Nga janari 2027, Mali i Zi pritet të zbatojë një model të ri pagash që parashikon rritje të ndjeshme si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Kryeministri malazez Milojko Spajiç ka prezantuar programin e quajtur “EURO MODEL”, përmes të cilit paga minimale neto do të përcaktohet në varësi të nivelit të arsimit.

Për punonjësit me arsim fillor ose më të ulët, paga minimale do të rritet nga 600 në 1000 euro. Për ata me arsim të mesëm, minimumi do të shkojë nga 600 në 1250 euro, ndërsa për pozicionet që kërkojnë arsim të lartë, paga minimale do të arrijë në 1400 euro neto në muaj, nga 800 euro që është aktualisht.

Reforma nuk do të prekë vetëm pagat minimale. Spajiç tha se do të ketë rritje edhe për punonjësit që aktualisht paguhen mbi minimumin. Si shembull, ai përmendi një pagë neto prej 1600 eurosh, e cila me të njëjtën kosto për punëdhënësin mund të shkojë në rreth 1870 euro nga janari.

Sipas kryeministrit malazez, kjo shumë mund të kalojë edhe 2000 euro nëse partnerët socialë pranojnë propozimin e qeverisë. Paralelisht, parashikohet edhe ulja e barrës tatimore mbi punën, me synimin për të lehtësuar kostot për punëdhënësit.

Qeveria malazeze pret që reforma të financohet përmes rritjes së konsumit dhe punësimit, luftës ndaj ekonomisë informale dhe masave të tjera fiskale. Sipas parashikimeve, paga mesatare neto në vend pritet të rritet nga rreth 1000 euro në mbi 1400 euro.

Ndryshime parashikohen edhe për pensionet. Nga viti 2027, ato pritet të indeksohen katër herë në vit, ndërsa pensioni mesatar pritet të kalojë 600 euro dhe pensioni minimal 500 euro. Gjithashtu, në dhjetor të këtij viti, çdo pensionist do të përfitojë një pagesë shtesë prej 100 eurosh.

Me një reformë të tillë që e çon pagën minimale për disa kategori deri në 1400 euro, Mali i Zi po vendos një tjetër standard pagash në rajon.

Ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë të njëjtin realitet ballkanik dhe janë vende fqinje, diferenca në nivelin e pagave mbetet një nga çështjet që ngre pyetjen se kur do të mund të afrohen edhe pagat shqiptare me standardet e vendeve të tjera të rajonit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit