
Një kërpudhë vdekjeprurëse e lidhur me “mallkimin e faraonit” mund të jetë çelësi për të luftuar kancerin në gjak, shkruan The Sun.
Kërpudha toksike Aspergillus flavus, e zbuluar brenda varreve të lashta egjiptiane, besohet se ka shkaktuar vdekjen e dhjetë arkeologëve që morën pjesë në hapjen e varrit të faraonit Tutankhamun një ngjarje që prej dekadash është shoqëruar me legjendën e mallkimit të faraonit.
Sipas teorive, sporet e kësaj kërpudhe janë thithur nga arkeologët, duke shkaktuar infeksione të rënda në mushkëri që rezultuan fatale. Por ironia qëndron në faktin se e njëjta kërpudhë vdekjeprurëse mund të mbajë brenda saj shpresën për jetë.
Shkencëtarët kanë zbuluar se Aspergillus flavus përmban një proteinë të veçantë, e cila, pasi izolohet dhe pastrohet, mund të ndihmojë në ndalimin e përhapjes së qelizave të leucemisë. Kjo proteinë, kur bashkëvepron me qelizat njerëzore, është mjaftueshëm e fuqishme për të ndërprerë ndarjen e qelizave kancerogjene.
Sherry Gao, pedagoge në Universitetin e Pensilvanisë, thekson rëndësinë e këtij zbulimi:
“Kërpudhat na dhanë penicilinën. Këto rezultate tregojnë se natyra vazhdon të fshehë mrekulli mjekësore që presin të zbulohen. Është detyra jonë si shkencëtarë të mësojmë prej saj dhe ta përdorim këtë dije për të zhvilluar trajtime më të mira për njerëzimin.”