Një tjetër procedurë prokurimi publik në Bashkinë e Librazhdit ngre dyshime të forte për paracaktim të fituesit, duke çuar dëm paratë e taksapaguesve në një nga zonat ku qytetarët përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.
Nën drejtimin e kryebashkiakut Mariglen Disha, institucioni ka mbyllur tenderin për projektin “Sistemim asfaltim i rrugës së fshatit Librazhd Katund faza II” (numri i referencës REF-89537-06-10-2026), duke skualifikuar ofertën më të lirë në mënyrë tejet të dyshimtë.
Në këtë garë, ku fondi limit i vënë në dispozicion nga buxheti i bashkisë ishte 58,332,793.00 lekë të reja pa TVSH, Mariglen Disha ka firmosur shpalljen fitues të operatorit ekonomik “B93 II” SH.P.K, në pronësi të Ardit Liçajt, për vlerën 57,425,600.00 lekë të reja pa TVSH.

Fituesi merr plot 98.4% të fondit limit
Shifrat e këtij prokurimi tregojnë qartë se konkurrenca ka qenë thjesht formale. Kompania e shpallur fituese nga Mariglen Disha ka bërë një ulje pothuajse qesharake nga buxheti maksimal:
-
Fondi Limit: 58,332,793.00 lekë të reja pa TVSH
-
Vlera Fituese: 57,425,600.00 lekë të reja pa TVSH
-
Përqindja e marrë: Kompania fituese ka siguruar plot 98.44% të vlerës së fondit limit.
Në praktikën e prokurimeve, kur një bashki shpall fitues një subjekt që ofron pothuajse 99% të fondit limit me vetëm 1.56% ulje, ky konsiderohet një “flamur i kuq” që tregon një garë të paracaktuar pa konkurrencë reale.


Dyshimet për një tender të paracaktuar përforcohen kur krahasojmë ofertat e paraqitura në këtë procedurë nga operatorët e tjerë ekonomikë. Në garë kanë marrë pjesë katër kompani, ku ofertat e tyre pa TVSH ishin:
-
OE “Vëllezërit HYSA” SH.P.K: 49,571,991.56 lekë
-
OE “B93 II” SH.P.K (Fituesi): 57,425,600.00 lekë
-
OE “L.T.E CONSTRUCTION” SH.P.K: 58,208,290.00 lekë
-
OE “2Z Konstruksion” SH.P.K: 58,285,248.00 lekë
Një nga kompanitë konkurruese kishte paraqitur një ofertë shumë më të ulët dhe më ekonomike për xhepat e qytetarëve. Diferenca mes asaj oferte dhe kompanisë që u përzgjodh nga Mariglen Disha është plot 7,853,608.44 lekë të reja pa TVSH. Nëse llogarisim vlerën me TVSH, oferta e skualifikuar ishte plot 94.2 milionë lekë të vjetra më e lirë sesa oferta e shpallur fituese nga Bashkia Librazhd.
Pavarësisht këtij kursimi të madh që mund t’i bëhej buxhetit të shtetit, administrata e Mariglen Dishës ka vendosur të skualifikojë ofertën më ekonomike, duke ia besuar punimet kompanisë së Ardit Liçajt me ofertën shumë më të kripur. Dy kompanitë e tjera në garë duket se kanë shërbyer thjesht sa për numër, pasi ofertat e tyre ishin pothuajse identike me fondin limit.
Ky vendimmarrje ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën në Bashkinë e Librazhdit: Pse u refuzua oferta që i kursente qytetarëve të varfër mbi 94 milionë lekë të vjetra?
