"Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët cenon të drejtat e njeriut"

“Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët cenon të drejtat…

Amnesty International ka kërkuar përfundimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për menaxhimin e emigracionit, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në të drejtat e njeriut. Në një dokument të publikuar më 20 gusht 2026, organizata thotë se ndalimi ekstraterritorial i emigrantëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri rrezikon sigurinë, lirinë dhe aksesin në drejtësi. Marrëveshja, e cila hyri në fuqi më 23 shkurt 2024, ka parashikuar ngritjen e qendrave të administruara nga autoritetet italiane në Shqipëri, ndërsa Italia raportohet se ka parashikuar mbi 670 milionë euro për funksionimin e saj deri në vitin 2028.

Sipas Amnesty International, mes tetorit 2024 dhe janarit 2025 Italia transferoi me forcë 74 persona nga ujërat ndërkombëtare drejt Shqipërisë, ndërsa pas ndryshimit të marrëveshjes në mars 2025, qindra të tjerë janë transferuar në qendrën e Gjadrit. Organizata thotë se gjatë periudhës 11 prill–16 maj 2025 janë regjistruar 42 incidente kritike në Gjadër, përfshirë të paktën dy tentativa për vetëvarje, raste vetëdëmtimi dhe një protestë ku tre persona u plagosën nga xhamat e thyer. Amnesty kritikon gjithashtu kufizimin e monitorimit të pavarur dhe vështirësitë që, sipas saj, hasin të ndaluarit për të pasur akses te avokatët dhe gjykatat.

Drejtoresha e Zyrës së Amnesty International për Institucionet Evropiane, Eve Geddie, e ka cilësuar modelin Itali-Shqipëri si të papajtueshëm me detyrimet e Italisë për të drejtat e njeriut dhe i ka bërë thirrje BE-së të mos zgjerojë politika të tilla në vende të treta. Organizata kërkon që Italia t’i japë fund marrëveshjes, të përdorë alternativa ndaj ndalimit dhe të garantojë procedura efektive e jo-diskriminuese për azilin. Ndërkohë, Ministria e Brendshme italiane ka refuzuar kërkesat e Amnesty për akses në qendrat e ndalimit në Shqipëri, duke iu referuar çështjeve të sigurisë dhe rendit publik.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit