Marshi i Paqes për viktimat e Srebrenicës mbledh mijëra njerëz në rrugën e kujtesës

Marshi i Paqes për viktimat e Srebrenicës…

Mijëra qytetarë ecin në rrugën e vdekjes për të përkujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në 30-vjetorin e masakrës.

Në Bosnje e Hercegovinë ka nisur këtë të martë Marshi i Paqes, një ngjarje e përvitshme që sjell bashkë mijëra njerëz për të përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Ky marshim simbolik ndjek rrugën e dhimbshme të mbi 15 mijë boshnjakëve që u përpoqën të shpëtonin në verën tragjike të vitit 1995.

Pjesëmarrësit janë nisur nga fshati Nezuk, pranë qytetit të Tuzllës, për të përshkuar më shumë se 110 kilometra rrugë në këmbë, me destinacion Qendrën Përkujtimore në Potoçari. Pikërisht më 11 korrik, dita kur u krye masakra, do të bëhet edhe rivarrimi i mbetjeve të identifikuara së fundmi të shtatë viktimave të tjera.

Tridhjetë vite më parë, më 11 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, një zonë e shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Më pas, mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë dhe trupat e tyre u hodhën në varre masive të fshehta.

Ky krim i tmerrshëm është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si akt gjenocidi. Deri më sot, mbi 50 persona janë dënuar për këto krime, me një total prej rreth 780 vjet burg, përfshirë dy figurat kyçe të luftës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të dënuar me burgim të përjetshëm.

Marshi i Paqes u organizua për herë të parë në vitin 2005 dhe është shndërruar në një ngjarje simbol të kujtesës kolektive. Çdo vit, numri i pjesëmarrësve shtohet, duke dëshmuar për një përkushtim të gjallë ndaj drejtësisë dhe të vërtetës historike.

Kjo ngjarje nuk është thjesht një marshim, por një akt simbolik kundër mohimit të gjenocidit dhe një thirrje për të mos harruar asnjë viktimë të pafajshme të kësaj tragjedie që tronditi Europën. Kujtesa mbetet arma më e fuqishme kundër përsëritjes së historisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit