Marshime në Durrës për 8 Mars, mbushet me këpucë të kuqe qendra e qytetit

Marshime në Durrës për 8 Mars, mbushet…

Sot është dhe dita ndërkombëtare e grave dhe shënon një moment përkujtimi ndaj lëvizjes për të drejtat e tyre.

Në shumë vende të botës zgjidhet të festohet me protesta, ku gratë shprehin revoltën e tyre ndaj ndaj pabarazisë gjinore dhe shkeljes së të drejtave të tyre, ndërkohë që në Shqipëri si një traditë e ngelur nga kujtesa komuniste 8 marsi simbolizon dhe festën e nënës.

‘Festime’ me mesazh dhe mjaft interesante janë kryer në qytetin e Durrësit, ku teatri “Aleksandër Moisiu” erdhi me një nismë të re, me një tribut ndaj të gjithë atyre nënave, motrave, vajzave e grave, që humbën jetën nga dhuna e burrave.

Shkallët e galerisë “Nikolet Vasia” ishin mbushur me këpucë të kuqe, që janë mbledhur jo vetëm nga gratë e qytetit, por edhe më gjerë. Ato janë simbol i humbjes së jetës së grave si pasojë e dhunës barbare të ushtruar mbi to.

Me dhjetëra palë këpucë shërbyen sot për të rikthyer edhe njëherë vëmendjen ndaj grave dhe vajzave, që janë simbol i jetës, simbol i vazhdimësisë së njerëzimit. Duke u ndalur tek fakti që qarku i Durrësit, sipas të dhënave të INSTAT, ka numrin më të lartë të grave të dhunuara, regjisorja e teatrit Driada Dervishi theksoi gjatë fjalës së saj se simbolika e aktivitetit të sotëm është pikërisht ndërgjegjësimi i të gjithëve për këto fakte tronditëse.

Ndërsa aktorja Adelina Muça u bëri apel të gjitha grave dhe vajzave të ngrejnë zërin e tyre, të denoncojnë rastet e dhunës, sepse nuk do të jenë asnjëherë vetëm. Ngritja e zërit mund të parandalojë raste të tjera dhune në familje dhe shoqëri, mund të frenojë vrasjen e një tjetër gruaje.

Këtë 8 Mars, nisma “Këpucët e kuqe” vjen për herë të parë në Durrës. Që prej vitit 2009, këpucët e kuqe të Elina Chauvet, artistes meksikane që humbi motrën si pasojë e dhunës në familje, kanë shëtitur botën. Prej më shumë se njê dekade “Këpucët e kuqe” vijnë si simbol i humbjes së grave nga dhuna.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit