U zhduk në 2011 kur ishte 14-vjeç, kërkohet ndihmë për gjetjen e Marteos

U zhduk në 2011 kur ishte 14-vjeç,…

Kanë kaluar 15 vite që nga dita kur Marteo Bejaj u zhduk pa lënë gjurmë, kur ishte vetëm 14 vjeç. Që prej 16 korrikut 2011, familja e tij jeton mes dhimbjes, pasigurisë dhe shpresës se një ditë do të mësojë të vërtetën për fatin e tij.

Përmes një apeli drejtuar redaksisë së JOQ Albania, familjarët kërkojnë ndihmën e qytetarëve për të përcjellë sa më larg historinë e Marteos, me shpresën se dikush mund ta ketë parë, njohur apo të ketë informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e zhdukjes së tij.

Pas gjithë këtyre viteve, dhimbja më e madhe mbetet ajo e nënës së tij, e cila vazhdon të jetojë pa një përgjigje për atë që i ndodhi djalit. Më 25 tetor, Marteo do të mbushë 30 vjeç. Një ditëlindje që duhej të ishte festë për familjen, por që edhe këtë vit vjen e mbushur me pyetje pa përgjigje dhe me shpresën se, përpara kësaj date, dikush do të gjejë guximin të flasë.

Një nga tiparet dalluese të Marteos ishte një nishan në faqen e djathtë. Edhe pse kanë kaluar shumë vite dhe pamja e tij mund të ketë ndryshuar, familjarët shpresojnë se ky detaj mund të ndihmojë dikë që e ka njohur ta kujtojë.

Familja nuk e ka ndalur asnjëherë kërkimin dhe sot u drejtohet të gjithë atyre që mund të dinë diçka, sado të vogël. Çdo informacion i vërtetë mund të jetë një hap drejt së vërtetës që ata presin prej 15 vitesh, qoftë edhe për të mësuar se çfarë ndodhi me vëllain, djalin dhe familjarin e tyre.

Të afërmit bëjnë gjithashtu apel që kjo histori të trajtohet me seriozitet dhe njerëzi, pa hamendësime, skenarë të sajuar apo komente që mund të lëndojnë një familje që prej vitesh jeton në ankthin e mungesës.

Marteo Bejaj u zhduk më 16 korrik 2011, në moshën 14-vjeçare. Familja e tij është nga fshati Fitore, në Novoselë të Vlorës, dhe shpreson që ky apel të arrijë te dikush që mund të ndihmojë.

Nëse e keni njohur Marteon, e keni parë pas zhdukjes ose dispononi informacion konkret për fatin e tij, ju lutemi ta ndani me familjen ose me autoritetet përkatëse.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit