Masakër mjedisore në Qerret: Kamionët hedhin inerte në det, uji kthehet në ngjyrë kafe

Masakër mjedisore në Qerret: Kamionët hedhin inerte…

Një shqetësim alarmant ka mbërritur pranë JOQ nga bregdeti i Qerretit, ku, sipas denoncimit të qytetarëve, kamionë të ndryshëm po transportojnë materiale të nxjerra nga gropat e ndërtimeve dhe po i hedhin drejt detit.

Pamjet dhe denoncimi ngrenë shqetësime të mëdha për një tjetër masakër mjedisore në bregdet. Materialet e transportuara pranë vijës bregdetare duket se kanë ndotur zonën, ndërsa qytetarët shprehen se uji i detit është bërë kaf.

Në vend që mbetjet dhe materialet e nxjerra nga kantieret e ndërtimit të trajtohen dhe depozitohen në vendet e përcaktuara për to, qytetarët denoncojnë se ato po përfundojnë në një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit: në det.

“Kamionët marrin dheun dhe materialet nga gropat e ndërtimeve dhe i hedhin në det. Deti është bërë kaf,” shprehen të revoltuar qytetarët.

Bregdeti i Qerretit është një zonë e frekuentuar nga pushuesit dhe ndotja e tij përbën jo vetëm një problem mjedisor, por edhe një kërcënim për ekosistemin detar. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit