Zhvillime të reja tronditëse janë shënuar pas masakrës në Krakov të Polonisë, ku mbetën të vrarë 6 persona dhe u plagosën 16 të tjerë. Kryeministri polak, Donald Tusk, ka bërë të ditur se në banesën e autorit të sulmit janë gjetur edhe tre persona të pajetë, dy gra dhe një burrë.
Gjatë një konference për shtyp, Tusk deklaroi se ekzistojnë dyshime se tre viktimat janë pjesëtarë të familjes së autorit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi identitetin e tyre apo rrethanat në të cilat kanë humbur jetën.
Ndërkohë, hetimet për masakrën në qendrën historike të Krakovit po vijojnë. Sipas autoriteteve polake, autori është një 25-vjeçar, i cili të shtunën pasdite hyri me automjet në sheshin kryesor të qytetit dhe hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty.
Gjatë sulmit, ai përdori një armë automatike, ndërsa policia gjeti në automjetin e tij edhe armë të tjera dhe një sasi të konsiderueshme municionesh. I riu u qëllua gjatë shkëmbimit të zjarrit me efektivët dhe u arrestua, ndërsa ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ku iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, ka deklaruar se autori kishte pikëpamje shumë radikale dhe ishte i fascinuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Sipas tij, deri më tani nuk ka të dhëna që në sulm të jenë përfshirë persona të tjerë.
Autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si një akt terrorist, ndërsa Polonia është tronditur nga një prej sulmeve më të rënda të këtij lloji në vitet e fundit. Qyteti i Krakovit ka shpallur ditë zie, ndërsa qeveria polake ka njoftuar gjithashtu ditë zie kombëtare.
Zbulimi i tre trupave të pajetë në banesën e autorit e bën edhe më të rëndë bilancin e kësaj ngjarjeje, ndërsa mbetet për t’u zbardhur nëse vdekjet e tyre kanë lidhje me masakrën në Krakov.