
Skemat e mashtrimit të shtetasve të huaj nga Call Center-at shqiptarë janë të mirëorganizuara dhe të komplikuara.
Në një intervistë një prej operatorëve i cili preferoi të mbetej në kushtet e anonimatit, kishte punuar për një kohë të gjatë në një kompanitë e thirrjeve mashtruese me qendër në Tiranë, ata i prezantoheshin gjahut të tyre me emra të krijuar, ndryshe nga gjeneralitetet e tyre të vërteta.
“Qendra ku unë punoja, ndahej në tri departamente dhe tavolina sipas gjuhëve të huaja të ndryshme.
Departamenti i parë përbëhej nga të punësuar që kishin rolin si ‘broker’, të cilët telefononin numra të zgjedhur rastësisht për t’i bindur që të investonin.
Brokeri më pas ia kalonte viktimat e tij departamentit të ‘aperturave’, i cili merrej me hapjen e depozitës dhe derdhjen e parave”, u shpreh ai.
Sipas operatorit, i cili tashmë është tërhequr nga puna e tij si broker në Call Center, mënyra për t’i bindur sa më shpejt klientët që të investonin, ishte ajo e kthimit 100 përqind të normës së investimit të tyre, ndërsa gjatë këtij bashkëbisedimi ata krijonin një profil të viktimës së tyre, përpara se ta ftonin të investonte në skemat e tyre fiktive.