Mashtronin të huajt për investime në bursa, dy “kokat” e Call-Centerave kapen me 106 mijë €

Mashtronin të huajt për investime në bursa,…

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “SCAMS”, duke goditur një rrjet të mirëorganizuar mashtrimi përmes një call-centeri që operonte në kryeqytet. Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar 2 persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 38 punonjës të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, call-centeri ishte i kamufluar si një biznes i ligjshëm, i licencuar për marketing, suport dhe konsulencë brenda dhe jashtë vendit. Por në realitet, veprimtaria e tij përqendrohej në mashtrimin e qytetarëve nga vende të Bashkimit Europian, duke i joshur të investonin në bursa fiktive.

Administrator i këtij aktiviteti ilegal ishte Kejsi Pergjegji, 28 vjeç, i cili së bashku me bashkëpunëtorin e tij Marjus Hysa, 38 vjeç, u arrestuan nga forcat e rendit. Ndërkohë, 38 punonjës të call-centerit janë vendosur nën hetim për rolet e tyre në këtë skemë mashtrimi.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, policia sekuestroi mbi 106 mijë euro dhe 700 mijë lekë. Konkretisht, në banesën e Marjus Hysës u gjetën dhe sekuestruan 41,500 euro dhe 700,000 lekë, ndërsa në ambientet e call-centerit u zbuluan 65,210 europa dokumentacion të burimit.

Gjithashtu, u sekuestruan 51 kompjuterë, 14 celularë, si dhe dokumentacion që përmbante lista me emrat që përdornin operatorët për t’u prezantuar me viktimat, shumat e përfituara nga mashtrimet, objektivat mujore dhe shpërblimet për çdo punonjës. Sipas dokumenteve të gjetura, për muajin tetor bonusi i përgjithshëm i operatorëve kapte vlerën e 1.5 milionë eurove.

Policia vijon hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe për të zbardhur të plotë skemën kriminale që fshihej pas këtij “biznesi të ligjshëm”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit