Mashtronte furnitorët dhe pastronte paratë, çohet në gjyq administratori italian i ‘Euro Beton 2005’

Mashtronte furnitorët dhe pastronte paratë, çohet në…

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq biznesmenin italian Giovanni Battista Telesca, administrator i mëparshëm i kompanisë “Euro Beton 2005”, si dhe vetë shoqërinë, të akuzuar për mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Sipas organit të akuzës, Telesca dyshohet se siguronte lëndë të para për prodhimin e betonit duke u premtuar furnitorëve pagesa ose apartamente, por më pas nuk shlyente detyrimet dhe mohonte furnizimet. Skema dyshohet se u zbulua pas kallëzimit të biznesmenit Altin Mamica, i cili pretendon një dëm prej rreth 89.8 milionë lekësh.

Sipas Prokurorisë, lëndët e para të siguruara përdoreshin për prodhimin dhe shitjen e betonit, ndërsa dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitjet shërbenin për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme. Gjithashtu, Telesca dyshohet se një pjesë të parave i nxirrte nga Shqipëria pa i deklaruar në kufi, për t’i investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në Itali.

Në kuadër të hetimeve është vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e “Euro Beton 2005”, me vlerë rreth 10 milionë euro. Mes tyre janë një pallat, sipërfaqe toke, njësi tregtare, si dhe 25 automjete, përfshirë betoniere, pompa betoni dhe mjete transporti. Telesca dhe kompania do të përballen me gjykimin për akuzat e ngritura, ndërsa deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë prezumohen të pafajshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit