Maturantët: Do të shkojmë të studiojmë në Itali, sepse në Shqipëri nuk plotësojmë kriteret

Maturantët: Do të shkojmë të studiojmë në…

Nga Jak Simoni

Paradoksal është fakti që  një pjesë e madhe e maturantëve nuk mund të studiojnë në universitetet shqiptare, ndërkohë që  kuotat, kryesisht të universiteteve  të rretheve, ngelen të paplotësuara. Kjo  ndodh nga kriteri i  përvitshëm i mesatares së vendosur në kundërshtim me të drejtën  e arsimimit. Kështu, një pjesë e maturantëve kërkojnë të arsimohen në vendet, ku kushtetuta zbatohet jo vetëm për qytetarët e vendit në fjalë, por dhe për  të huajt. Në kushtetutat e vendeve perëndimore garantohet e drejta e arsimimit dhe konkurrimi nga një nivel më i ulët  në një nivel më të  lartë të studimi është i hapur për të gjithë ato studentë që kanë mbyllur studimet në nivelin paraprak, kurse në Shqipëri kriteri i notës mesatare i ndalon, arbitrarisht, maturantit  këtë mundësi konkurrimi.

Ndonëse ky kriter është vendosur me qëllim që të garantojë cilësi në arsimin e lartë, kryesisht në ato fakultete, ku përgatitën mësues dhe për të ndaluar inflacionin e diplomave në dhjetëvjeçarët e fundit, efektet janë mjaft negative si për maturantët,  si për universitetet ashtu dhe për shoqërinë shqiptare.  Të zhgënjyerit kryesor në momentin më të bukur të jetës së tyre janë maturantët, të cilët  do ta kërkojnë të drejtën e studimit në një vend tjetër.  A nuk  është paradoksale të dëgjosh: do të shkoj të studioj në Itali ose në Gjermani, sepse në Shqipëri nuk plotësoj kriterin e notës mesatare.

Në historinë  e arsimit kush është përpara? Natyrisht,  udhë të mbarë  dhe suksese atyre që   kanë rezultate të larta dhe mundësitë ekonomike, por të tjerët do të kuptojnë shpejt se janë material rinor  i  hedhur (për ta thënë sipas Hiedegger) nga vendi i tyre nëpër  rrugët e Evropës. Shumë shpejt këto të rinj, apo të reja do të përballen me një kriter tjetër therës; atë ekonomik. Do ti shqetësojë mbijetesa më shumë se studimet, megjithëse thuajse të gjithë kanë të afërmit e tyre atje, por ata mund të mos jenë atje ku është universiteti dhe natyrshëm kanë për të përmbushur fillimisht nevojat e  fëmijëve të tyre.

Jemi një shoqëri që nuk u mundëson të rinjve të zbulojnë dhe të zhvillojnë interesat dhe  pasionet e tyre për dije, e mbi të gjitha të ndërtojnë të ardhmen  në vendin e tyre. Këta të rinj, sapo marrin diplomën e maturës, bien në kurthin e ngritur për të paguar  për ‘mëkatin’ e notave jo të mira  që kanë marrë më parë. Pastaj, a është e sigurt se këto nota nuk janë ndonjëherë dhe fiktive? Çfarë do ti thuhet një të riu, apo te reje që  ka pasion letërsinë, apo historinë dhe nuk ka marrë nota të mira në lendet tjera? Vendet janë bosh por nuk ke të drejtë të as të konkurrosh.

Vitet e   kaluara këto programe ishin thuajse bosh. I bie që, meqenëse nuk vijnë për të studiuar ato që kanë mesatare të lartë, histori, apo ndonjë lëndë tjetër, mos të studiohet fare. E si mundet të ndodhë  kjo? A nuk është historia studim i së shkuarës, për mos t’i përsëritur  gabimet, apo ne nuk kemi gabime në të shkuarën? Apo, ç’na duhet historia, se mos vallë  (për ta thënë si Niçe) do të bëjmë histori ne?  Apo, akoma më keq,  të rinjtë le të njohin  të shkuarën e dikujt tjetër dhe të kërkojnë ardhmen  diku tjetër. N.q.s. vazhdohet në mënyrë direkte, apo indirekte të dëbohet  rinia,   universitetet dhe shoqëria jonë do të përfundojnë në agoni.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit