Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka reaguar pas eliminimit nga Kupa e Botës, duke pranuar se humbja 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinale ishte plotësisht e merituar.
Në prononcimin e dhënë për M6, ylli i Real Madridit u shpreh se Franca nuk arriti të shfaqte nivelin e nevojshëm, duke dështuar si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë teknik.
“Ne nuk luajtëm ndeshjen që kishim përgatitur. Nuk ishim në nivelin e duhur, as taktikisht, as teknikisht dhe as në paraqitjen tonë të përgjithshme. Kur nuk jep maksimumin në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, nuk mund të pretendosh finalen”, deklaroi Mbappé.
Sulmuesi francez pranoi se skuadra bëri shumë gabime me topin dhe nuk arriti të zbatonte planin për t’i ushtruar presion Spanjës.
“Spanja bëri atë që di të bëjë më mirë: mbajti topin dhe kontrolloi ritmin e lojës. Ne donim t’i pengonim që ta bënin këtë, duke i sulmuar lart, por nuk ia dolëm. Ata janë më të fortë se ne në kontrollin e ndeshjes dhe kjo u pa qartë”, tha ai.
Mbappé veçoi edhe ndikimin e mesfushorëve Rodri dhe Fabián Ruiz, të cilët, sipas tij, patën shumë hapësira për të organizuar lojën e Spanjës.
“Nga pikëpamja teknike nuk ishim në lartësinë e duhur. Pasimet dhe kontrolli i parë i topit nuk ishin në nivelin që kërkon një gjysmëfinale Botërori. Në fund, duhet ta pranojmë se nuk kishim elementët e nevojshëm për të siguruar kualifikimin në finale”, përfundoi kapiteni i Francës.