Mbërrin trupi i pajetë i të burgosurit shqiptar, vëllai: Pas autopsisë do fle i qetë

Mbërrin trupi i pajetë i të burgosurit…

Para pak ditësh një i burgosur në Greqi, i identifikuar si Adem Rusi me origjinë nga Shqipëria vrau veten me lidhëse këpucësh, ndërsa po dërgohej nga spitali i Amfisës drejt burgut famëkeq të Malandrinos. Tragjedia tronditi familjarët e të ndjerit. Konkretisht i vëllai i të burgosurit që thuhet se u mbyt me lidhëse këpucësh, hodhi dyshime se i ndjeri është vrarë nga gardianët. Ndërkohë sot, mësohet se trupi i pajetë i Adem Rusit, iu dorëzua familjes. Ndërkohë sërish ka ardhur një reagim i Shkëlqim Rusit, i cili shprehet se autopsia do të vulos çdo gjë dhe atëherë do të bëjë gjumë i qetë.

Shkëlqim Rusi, vëllai i të ndjerit Adem Rusi:

Në Prokurori ka vajtur kallëzimi penal që bëra, dhe do shkoj të pyes për te marrë fletën nëse do pranojnë kallëzimin. Dua me çdo kusht që t’i bëhet autopsia, që të di shkakun e vdekjes e të fle rehat. I kam marrë të gjitha letrat, vetëm atë të prokurorisë pres. Përgjigje deri më tani kam ato që kanë nxjerrë grekët, por unë s’besoj asnjë gjë, këtu do dalë e vërteta. Morën fillimisht nënën, pastaj më morën mua e më thanë që e kemi çuar në spital, për kontroll rutinë, natën nuk ka kontroll rutinë. Ka pirë klorinë më tha drejtori i burgut, tha u bë mirë, kur po e kthenim fatkeqësisht vari veten, në makinë të policisë, me gardianë brenda. Ata nuk të lenë as me lidhëse këpucësh, as me rrip, asgjë të ketë i burgosuri, plus ka qenë i prangosur dhe me 2-3 shoqërues. Do kërkoj drejtësi deri në fund, sikur edhe kjo të jetë e vërtetë që të ketë varur veten, është neglizhencë e tyre. Pas vëllait tim mund ta kenë radhën të tjerët, shteti tonë duhet të ngrejë strukturë në ambasadat tona që të mbrojë të gjithë të burgosurit. Shpresën vetëm te autopsia e kam.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit