
Situata ka qenë e tensionuar sot në fshatin Pilafe, në Peshkopi, ku një incident është regjistruar mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe forcave të policisë.
Sipas informacioneve të para, dy automjete që dyshohet se i përkisnin eksponentëve të Partisë Socialiste janë parë duke shpërndarë para në këmbim të votës, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të kampit të djathtë.
“Jemi për jetë a vdekje! 12 vite në opozitë,” dëgjoheshin të thërrisnin mbështetësit e PD-së, ndërsa tensioni në terren përshkallëzoi në përplasje me policinë.
Demokratët pretendojnë se ka pasur edhe të shtëna me armë, ndërkohë që dy automjetet e dyshuara janë gjetur të braktisura në anë të rrugës.
Gjatë kontrollit, policia nuk ka gjetur armë zjarri, por ka shpallur në kërkim dy persona që dyshohet se kanë lidhje me rastin dhe që sipas burimeve, janë anëtarë të Partisë Socialiste.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zonë, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet për të qartësuar rrethanat dhe përgjegjësitë.