Një tjetër skandal që ngre pikëpyetje serioze për sigurinë ushqimore në vend. Mbi 1 ton bajame të kontaminuara kanë përfunduar në tregun shqiptar dhe, sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e tyre është shitur te konsumatorët.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka dalë me një njoftim urgjent, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë produktin “BLANCHED ALMOND EXTRA FINE”, me datë skadence 22 tetor 2026, pasi në të është konstatuar prania e acidit hidrocianik mbi normat e lejuara.
Sipas AKU-së, alarmi është dhënë përmes Sistemit Evropian të Alarmit për Ushqimin (RASFF), i cili ka identifikuar produktin problematik si të rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve.
Produkti ka origjinë nga Spanja dhe është importuar në Shqipëri nga subjektet Albanian Smart Distribution sh.p.k. dhe Alta Group.
Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë rast është fakti se, sipas vetë AKU-së, nga 1,100 kilogramët e importuar nga Albanian Smart Distribution dhe subjekti “N.N.”, e gjithë sasia rezulton të jetë shitur te konsumatori fundor.
AKU u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë dhe, nëse e kanë ende në posedim, ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë ose të kontaktojnë subjektin tregtar.
Ky është rasti i radhës që ngre shqetësime mbi kontrollin e produkteve ushqimore që hyjnë në tregun shqiptar dhe mënyrën se si konsumatorët informohen vetëm pasi produktet kanë përfunduar në duart e tyre.