Kontrabandë ilaçesh, trafik droge dhe 12 mld lekë nga Shëndetësia, oligarkut Ilir Shehu i sekuestrohen 29 pasuri

Kontrabandë ilaçesh, trafik droge dhe 12 mld…

Prokuroria e Tiranës ka vendosur nën sekuestro 29 pasuri që i atribuohen Ilir Shehut, i njohur edhe me emrin Ilir Pasholli, i dënuar më herët në Itali për trafik narkotikësh. Ai është aktualisht nën hetim për përfshirjen e dyshuar në një skemë kontrabande të barnave nga Italia drejt Shqipërisë.

Masa e sekuestros është vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur hetimet për të verifikuar burimin e pasurisë së krijuar nga Shehu dhe dyshimet se një pjesë e saj mund të rrjedhë nga aktivitete të paligjshme.

Sipas hetimeve, skema e dyshuar lidhet me importimin e barnave nga Italia, ku produktet bliheshin me fatura të rregullta dhe eksportoheshin me dokumentacion që pasqyronte sasinë dhe vlerën reale të tyre. Problemi, sipas Prokurorisë, shfaqej në momentin e zhdoganimit në Shqipëri.

Gjatë procedurave doganore dyshohet se deklaroheshin më pak barna nga sa përmbanin realisht ngarkesat. Në këtë mënyrë, një pjesë e produkteve hynte në tregun shqiptar pa u pasqyruar në dokumentacionin përkatës. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se më pas këto barna kalonin përmes operatorëve të tjerë ekonomikë, me qëllim mbulimin e origjinës dhe futjen e tyre në qarkullim të ligjshëm.

Paralelisht me hetimin për aktivitetin tregtar, Prokuroria ka kryer edhe verifikime mbi pasuritë e Shehut. Nga këto kontrolle janë evidentuar biznese, prona të paluajtshme dhe automjete, përfshirë edhe dy godina në Tiranë, për të cilat ngrihen dyshime se janë financuar me të ardhura që nuk justifikohen nga burime të ligjshme.

Në listën e subjekteve të përfshira në masën e sekuestros janë kompanitë farmaceutike “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialba Pharma”. Sekuestroja përfshin gjithashtu pasuri të paluajtshme dhe automjete të regjistruara në emër të Shehut apo personave të lidhur me të.

644 tendera me vlerë mbi 12 miliardë lekë

Oligarku Ilir Shehu është denoncuar me dhjetëra herë nga redaksia e JOQ ALBANIA në lidhje me aktivitetin e tij në sektorin e furnizimit me barna për institucionet shëndetësore. Sipas të dhënave mbi prokurimet publike, kompanitë e lidhura me të kanë përfituar një numër të konsiderueshëm kontratash nga institucionet shtetërore.

Si operator i vetëm ekonomik, Shehu rezulton të ketë përfituar 644 tendera nga 36 institucione publike të sektorit të shëndetësisë, me një vlerë totale që tejkalon 12 miliardë lekë.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre procedurave lidhet me kompaninë “Medicamenta”, e cila renditet ndër subjektet me numrin më të lartë të kontratave publike në sektorin farmaceutik. Sipas të dhënave të prokurimeve, kjo kompani ka përfituar rreth 538 kontrata, me një vlerë që kalon 4.4 miliardë lekë pa TVSH.

Numri më i madh i kontratave është siguruar nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Rreth 72.2% e tenderave të fituar nga kompania janë zhvilluar në procedura ku “Medicamenta” ka qenë konkurrenti i vetëm.

Po sipas të dhënave të publikuara për këto procedura, 251 tendera, pra një pjesë e konsiderueshme e kontratave të përfituara, janë evidentuar me shkelje të pretenduara të legjislacionit të prokurimit publik.

Në fokus të vëmendjes kanë qenë edhe furnizimet me medikamente të kushtueshme për pacientët, përfshirë Doksorubicinën, një preparat që përdoret në trajtimet e kimioterapisë. Këto furnizime kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të kontratave dhe kontrollin mbi procesin e prokurimit të barnave.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit