Më shumë se shtatë milion fëmijë në Afganistan janë të rrezikuar nga uria pas rritjes së çmimeve të ushqimit për shkak të pandemisë, tregon një raport.
Një zëdhënës i “Save the Children” tha se vendi po përballet me një “stuhi të urisë, sëmundjes dhe vdekjes” .
Bamirësi tha që një e treta e popullsisë, e cila përfshin 7.3 milion fëmijë, po përballet me mungesa ushqimore, shkruan The Guardian.
Kohët e fundit OKB e përfshiu Afganistanin në një listë të vendeve në rrezik urie.
Programi Botëror i Ushqimit i Organizatës (WFP) paralajmëroi se bota po përballet me një “pandemi të urisë” .
Afganistani ka vuajtur gati dy dekada lufte që kur forcat e udhëhequra nga SH.B.A. rrëzuan Talibanët në 2001, duke e lënë atë me një sistem të kujdesit shëndetësor të shkatërruar dhe të varfëruar.
Ndërsa koronavirusi u përhap, qeveria izoloi kryeqytetin, Kabul, në fund të marsit dhe provincat e tjera pas tij.
Lëvizja përveç blerjes për nevoja themelore është e kufizuar me rregulla të ashpra dhe udhëtimi midis qyteteve është i ndaluar.
Çfarë tregon raporti?
Save the Children raportoi se çmimi i ushqimit po rritet pikërisht në kohën kur fëmijëve u nevojitet ushqim i mjaftueshëm gjatë ditës për të forcuar sistemin imunitar.
Edhe para pandemisë më shumë se pesë milion fëmijë afganë kishin nevojë për një formë të mbështetjes humanitare. Sondazhet e fundit të OKB tregojnë se rreth dy milion fëmijë të moshës nën pesë vjeç përballen me uri ekstreme.
Duke përmendur shifrat nga WFP, raporti thotë se çmimi i miellit të grurit dhe vajit të gatimit në tregjet kryesore të qytetit të Afganistanit u rrit deri në 23% në muajin e kaluar ndërsa kërkesa tejkaloi furnizimin. Kostoja e orizit, sheqerit u rrit midis 7% -12%.