Mbretëresha Kate dhe Princi William përmbushën ëndrrën e një adoleshenteje me kancer

Mbretëresha Kate dhe Princi William përmbushën ëndrrën…

Familja e Liz Hatton kujton me mall takimin prekës me Kate Middleton dhe Princin William, të cilët e ndihmuan adoleshenten britanike të realizonte ëndrrën për fotografinë përpara se të ndërronte jetë nga një sëmundje e rrallë.

Çdo nëntor, në kopshtin e Vicky Robayna në veri të Anglisë, çel një trëndafil i veçantë që ruan gjallë kujtimin e vajzës së saj, Liz Hatton. Trëndafili “Ice N Roses Early Rose” ishte një dhuratë zemre nga Kate Middleton dhe Princi William, të cilët luajtën një rol të veçantë në udhëtimin e fundit të Liz-it.

Liz, një adoleshente nga Harrogate, Yorkshire, u diagnostikua me një formë të rrallë dhe agresive të kancerit abdominal. Para se të ndërronte jetë në nëntor 2024, në moshën 17-vjeçare, ajo arriti të përmbushte një listë dëshirash të frymëzuara nga pasioni i saj për fotografinë — falë mbështetjes nga çifti mbretëror.

Gjithçka nisi kur nëna e saj, Vicky, ndau një apel emocional në rrjete sociale. Një kontakt në një organizatë bamirëse të ambulancës ajrore — të mbështetur nga Princi William — e çoi historinë e Liz te familja mbretërore. Ata e ftuan atë të fotografojë një event në Kalanë Windsor, ku William po ndante medalje për britanikë të nderuar.

Në atë vizitë emocionuese në tetor 2024, Kate, e cila vetë po kalonte trajtim për një formë të panjohur të kancerit, përqafoi ngrohtësisht Liz-in dhe familjen e saj. Ajo përqafoi edhe vëllain e Liz-it, Mateo, duke e nxitur të hapet pavarësisht turpit të tij fillestar.

“Liz gjithmonë thoshte se ata ishin dy nga njerëzit më të sinqertë që kishte takuar ndonjëherë,” kujton Vicky. “Ajo e donte faktin se u treguan kaq njerëzorë me Mateon.”

Ndihma e çiftit nuk u ndal vetëm në atë vizitë. Ata i ftuan sërish në shërbimin festiv të këngëve të fundvitit në Westminster Abbey në dhjetor, dhe në një festë kopshti në maj 2025 në Pallatin Buckingham, ku familja falënderoi personalisht Williamin dhe Katin për gjithçka.

Ndërkohë, Vicky dhe bashkëshorti i saj, Aaron, themeluan “Capture”, bamirësinë e parë në botë për sëmundjen që preku Liz-in. Që nga nëntori 2024, ata kanë mbledhur mbi 163 mijë dollarë përmes fushatave online, ndërsa vetë historia e Liz-it frymëzoi mijëra njerëz.

Vicky tregon se vajza e saj nuk ndalej kurrë. Edhe pse e lodhur nga trajtimet, ajo gjallërohej sapo merrte kamerën në dorë. “Ajo ishte e gjallë dhe plot pasion sa herë që fotografonte,” thotë në një intervistë për PEOPLE.

Liz-i donte që njerëzit të kuptonin sëmundjen e saj të rrallë, por edhe të njihnin dashamirësinë e Princeshës Kate. Ajo ishte e trishtuar nga komentet negative në rrjet ndaj Kate gjatë kohës së diagnozës së saj. “Liz besonte se të gjithë duhet të kenë të drejtën të ruajnë privatësinë për shëndetin e tyre,” shton Vicky.

Pak para vdekjes së Liz-it më 27 nëntor 2024, familja mbretërore postoi një mesazh personal për ta ngushëlluar, të nënshkruar me inicialet “W & C”, duke treguar vëmendjen dhe përkushtimin e tyre të sinqertë.

Vicky thekson se kujtimet më të bukura të Mateo-s nuk lidhen me spitalin, por me momente të paharrueshme si fotografimi në Windsor, ekspozitat dhe takimet me njerëz të veçantë. “Këto kujtime e kanë ndihmuar të përballojë dhimbjen me krenari dhe dashuri,” shprehet ajo.

Në përmbyllje, Vicky e thotë me emocion: “Nëse do të kisha zgjedhje, do të doja ta kisha gjallë vajzën time, pa diskutim. Por, për një përvojë vdekjeje, kjo ishte më e mira që mund të kishim: dashuri, kujdes dhe mbështetje nga e gjithë bota.”

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit